Komuna po pret raportin nga terreni për kompensimin e dëmeve nga vërshimet

Me dëme të mëdha janë përballur qytetarët e komunë së Rahovecit, ditëve të fundit, pas reshjeve të mëdha të shiut në këtë komunë.

E këto dëme pritet që të kompensohen, ndonëse mundësitë buxhetore janë mjaft të vogla.

Veli Gashi, shef i kabinetit në komunën e Rahovecit, në një prononcim për Indeksonline, ka bërë të ditur se janë duke pritur përfundimin e raportit për dëmet e shkaktuara nga reshjet javë më parë.

“Po presim një raport nga tereni dhe të shohim se çka kem mundësi, edhe pse janë të vogla, mirëpo do mundohemi që të gjejmë zgjidhje për qytetarët e dëmtuar, përmes donatorëve apo edhe Qeverisë”, tha Gashi.

Ai më tutje bëri të ditur se reshjet gjatë ditës së sotme kanë shkaktuar dëme kryesisht në qytetin e Rahovecit.

“Kemi qenë në teren dhe e kemi parë situatën nga afër. Ka dëme të theksuar, kryesisht në qytet por edhe në fshatra, në disa segmente të rrugëve në komunën tonë”.

“Sot kemi ndërmarrë të gjitha intervenimet e nevojshme, gjatë ditës së nesërme do të kemi më shumë mundësi për të parë për dëmet por edhe mundësitë për të intervenuar”, përfundoi Veli Gashi.

Reklama