Komuna organizon tryezë shkencore kushtuar festivalit “Anadrinia jehon”

Më 11 maj Komuna e Rahoveitc do të mbajë një tryezë shkencore kushtuar festivalit folklorik “Anadrinia jehon”, dedikuar punës së organizatorëve të festivalit.

Sipas drejtoreshës për Kulturë, Rini dhe Sport në Rahovec, Bjondina Kleçka, temë kryesore e kësaj tryeze do të jetë roli i festivalit në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave kombëtare.
Ky është njoftimi i plotë i Kleçkës:

TRYEZË SHKENCORE PËR FESTIVALIN FOLKLORIK “ANADRINIA JEHON”

Tryeza shkencore “Anadrinia jehon” e cila do të mbahet me 11 maj 2019, i dedikohet punës së palodhshme dhe të vendosur të organizatorëve të kësaj ngjarjeje të rëndësishme kulturore në komunën e Rahovecit. Duke qenë se festivali “Anadrinia jehon” ka mbledhur për vite me radhë artdashës, kultivues të kulturës dhe traditës kombëtare shqiptare nga të gjitha trojet etnike, në skenën e këtij Festivali janë shpalosur vlerat e folklorit të zonave të ndryshme shqiptare.

Natyrisht se numri i madh i artistëve popullor ka tërhequr edhe numër të madh të shikuesve, të cilët me shumë dashamirësi i kanë duartrokitur dhe përshëndetur. Gjatë kësaj periudhe është bërë një punë e madhe në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të trashëgimisë tonë kulturore dhe kjo ka tërhequr vëmendjen e shumë njohësve të fushës së folklorit.
prandaj, organizimi i një tryeze shkencore, ku do të prezantoheshin me kumtesa njohës dhe studiues të artit popullor, do të jetë kontribut shtesë për kulturën tonë kombëtare.

Tema bosht është: Roli i festivalit të folklorit “Anadrinia jehon” në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave kombëtare.

Pjesëmarrësit me kumtesa dhe temat e trajtuara:
1. Prof.dr. Sabahajdin Cena
Tema: Lahutarët dhe rapsodët e Rahovecit në udhëpërshkrimet e Matija Murkos
2. Mr. Bedri Zyberaj
Tema: Anadrinia në kujtesën folklorike
3. Ermir Dizdari
Tema: Festivali “Anadrinia jehon” si pjesë e rëndësishme e festivaleve folklorike, në hapësirën mbarë shqiptare, për ruajtjen e trasmetimin në breza të trashëgimisë shpirtërore të popullit shqiptar”
4. Dilaver Kryeziu, etnokoreograf (profesor)
Tema: Anadrinia si krahinë e vallëzimit popullor shqiptar
5. Ukë Xhemaj
Tema: Rëndësia e festivalit “Anadrinia jehon” në ruajtjen dhe ringjalljen e vlerave EtnoKulturore shqiptare.
6. Sami Piraj
7. Ledia Dushi (Shkodër)
Tema: Vajtimi ritual, rite e trajta.
8. Dr. Leontina Gega-Musa
Dega e Folklorit
Instituti Albanologjik
Tema: “Folklori dhe shfaqja e tij skenike ne festivalet folklorike”.

Ju mirëpresim! 💃🏻🕺🏼

Reklama