Komuna ka ndarë 22 mijë euro për KB Rahoveci, Bordi i dorëhequr i paarsyeshëm dhe me kërkesa absurde

Pas dorëheqjes së bordit të KB Rahoveci, me pretendimin se Komuna e Rahovecit nuk po e ndihmon financiarisht, ka reaguar përmes një deklarate publike Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, duke sqaruar se komuna tashmë ka ndarë 22 mijë euro për periudhën shtator-dhjetor, ashtu siç ishte paraparë para krizës pandemike.

Përmes kësaj deklarate të drejtorisë kuptohet se KB Rahoveci nuk ka humbur asgjë financiarisht, ndonëse situata e krizës shëndetësore dhe ekonomike ka bërë që përplot organizata, klube, biznese e individë të pësojnë në mënyra të ndryshme.

Bordi i KB Rahoveci, nuk ka dashur t’ia dijë për këtë gjë, dhe në vend të kësaj, ka kërkuar diçka që Komuna e Rahovecit nuk ia ka premtuar kurrë.

Kjo është deklarata e plotë e Drejtorisë:

Deklaratë e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport pas dorëheqjes së Bordit të KB Rahoveci

Me keqardhje të madhe po e përcjellim situatën e rëndë të krijuar në KB Rahoveci, pas dorëheqjes së bodrit të këtij klubi.

Situata globale me pandeminë COVID 19 e ka vënë në vështirësi tërë vendin, ku përjashtim nuk bën as komuna e Rahovecit. Ndërprerja e imponuar e aktiviteteve kulturore, rinore e sportive ka impakt negativ në ecurinë e gjithmbarshme, duke bërë që të mos mbahen aktivitetet e planifikuar dhe të ndërpriten garat në të gjitha nivelet e sportit. Klubi i basketbollit Rahoveci ka pësuar fatin e ngjashëm sikur edhe të gjitha klubet tjera në vend.

Mbështetja për këtë klub ka qenë shembullore, duke arritur shumën prej 40.000 euro vitin e kaluar, gjë që ka pasur ndikim edhe në sukseset e klubit. Jemi ndjerë krenar me arritjet e djelmoshave tanë, si dhe i kemi përgëzuar punëtorët sportiv që i kanë kontribuuar këtij suksesi.

Lajmi për dorëheqjen e bordit drejtues të KB Rahoveci ka qenë i papritur dhe konsiderojmë se është hap i ngutshëm e i papeshuar mirë. Nisur nga gjendja e pandemisë dhe kufizimi i aktiviteteve të përgjithshme kulturore e sportive, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport ka bërë ndarjen e subvencioneve për këtë vit, ku KB Rahoveci është përsëri përfituesi më i madh me 22 mijë euro. Kjo shumë është ndarë vetëm për periudhën shtator-dhjetor, pra për katër muajt në vazhdim dhe është në përputhje të plotë me nevojat e klubit për këtë gjysmën e sezonit, nëse garat nisin sivjet. KB Rahoveci nuk ka humbur asgjë dhe kjo është në përputhje me mundësitë financiare të Komunës për këtë vit pandemik.

Ngutia e individëve për të marrë vendime kaq radikale, duke e dëmtuar rëndë interesin e KB Rahovecit dhe të sportit në komunën tonë, është e pashembullt. Duke analizuar përmbajtjen e komunikatës së bordit të dorëhequr bien në sy tendencat miope të disa individëve për të futur politikën partiake në sport. Dëmtimi i KB Rahoveci dhe i basketbollit si sport më i dashur në këtë komunë, nuk nënkupton edhe dëmtim të imazhit të kryetarit të komunës Smajl Latifi, i cili me vetmohim të pashoq dhe përkushtim të admirueshëm ka arritur të finalizojë punimet në palestrën e sportit “Mizahir Isma”, duke ju ofruar mundësi të jashtëzakonshme të rinjve të komunës së Rahovecit. Nga kjo punë e madhe në palestër më së shumti ka përfituar basketbolli, por edhe lojërat tjera me dorë janë duke u rritur dita-ditës. Gjë për të cilën jemi shumë krenar.

Ju bëjmë thirrje bodrit të dorëhequr të KB Rahoveci që të reflektojnë dhe të heqin dorë nga sulmet e ulëta e tendencioze, duke u munduar të manipulojnë opinionin publik. Bazuar në angazhimet dhe përkushtimin e DKRS-së dhe mbështetjes së fuqishme që gëzojmë nga kryetari Smajl Latifi, i sigurojmë sportistët dhe sportdashësit se, do të bëjmë gjithçka që është e mundur që KB Rahoveci të vazhdojë garat dhe të arrijë suksese kulmore. Mbështetja komunale nuk do të mungojë, sukseset varen nga sportistët.

Ne do të vazhdojmë me mbështetje materiale, teknike e financiare, duke u angazhuar që fillimisht të formohet një bord i ri dhe kompetent për të vazhduar me suksese edhe në të ardhmen.

Nesër dikush do të turpërohet për gabimet e rënda që mund të bëjnë sot, por në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë që KB Rahoveci të degradohet e poshtërohet!

Reklama