Komuna e Rahovecit fiton grant 137 mijë 974 euro

Kryetarit i Rahovecit Smajl Latifi ka njoftuar sot se Komuna e Rahovecit fiton grant 137,974€ nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkëpunim me GIZ-in gjerman.

Latifi ka thënë se ky grant vjen pasi ka përfunduar procesi final i vlerësimit të komunave në Republikën e Kosovës për Grantin e Performancës “Mjedisi i Pastër”.

“Fitimi i këtij granti ka përfshirë shumë kritere, duke u nisur nga zbatimi i legjislacionit në fushën e menaxhimit të mbeturinave, hartimi dhe miratimi i planeve menaxhuese të mbeturinave, zbatimi i udhëzimit për ndëshkime me gjoba mandatorë, eliminimi i deponive ilegale të mbeturinave, krijimi dhe mirëmbajtja e zonave të gjelbra, ofrimi i shërbimeve cilësore në fushën e menaxhimit të mbeturinave, mbledhja dhe riciklimi i tyre etj”, ka thënë ai.

Për fitimin e këtij granti Latifi ka falënderuar zyrtarët e DSHP-së, zyrtarët komunal për mjedis, për mbulueshmërinë e menaxhimit të mbeturinave si dhe kompanitë vullnetare dhe kompanitë e kontraktuara për mbledhjen e mbeturinave.

“Urime qytetarëve të komunës së Rahovecit për grantin, vazhdojmë bashkë ta bëjmë Rahovecin komunë ekologjike!”, ka thënë në fund Latifi.

Reklama