Komuna e Rahovecit fiton 655 mijë euro për performancën më të mirë gjatë vitit 2019

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka njoftuar sot se Rahoveci e kafituar grantën për performancën më të mirë komunale për vitin 2019, me ç’rast përfiton mbi 655 mijë euro si shpërblim.

Rahoveci është renditur komuna e dytë në mesin e të gjitha komunave të tjera për performancë nga Ministria e Pushtetit Lokal.

Njoftimi i plotë:

RAHOVECI FITON GRANTIN PËR PERFORMANCËN MË TË MIRË KOMUNALE PËR VITIN 2019- 655,147.23€

Të dashur bashkëqytetarë,

Sot, me kënaqësinë më të madhe po ndaj  me ju një lajm shumë të mirë për të gjithë ne, sapo jemi njoftuar se komuna e Rahovecit ka marrë çmimin për performancën më të mirë komunale për vitin 2019 dhe zyrtarisht  është renditur si komuna e dytë për sa i përket vlerësimit për performancën më të mirë.

Granti i performancës do të shërbejë si shpërblim për ndryshime pozitive në komunë, por edhe si mjet për nxitjen e mëtejshme për zhvillim ekonomik, rritjen e investimeve kapitale si dhe fuqizimin e kapaciteteve të komunës së Rahovecit në dobi të mirëqenies së qytetarëve tanë.

Ky çmim është dëshmi për seriozitetin, përkushtimin dhe efikasitetin e ekzekutivit komunal në Rahovec. Kemi edhe shumë punë para vehtes, por jemi në rrugë të drejtë për t’u bërë shembull model i qeverisjes lokale në nivel vendi.

Shfrytëzoj rastin ta falënderoj Ministrinë e  Pushtetit Lokal për çmimin, poashtu, falënderoj ekipin tim, drejtorët e drejtorive për punën e tyre si dhe grupin punues për performancë komunale për përkushtimin e treguar dhe angazhimin e përgjegjshëm të tyre!

Ju siguroj se, edhe në të ardhmen nuk do të mungojë vullneti, gatishmëria, angazhimi dhe përkushtimi për arritje edhe më të lartë të performancës si në fushën e planifikimit urban e rural, menaxhimin e mbeturinave si faktor kyç për ruajtjen e mjedisit, ngritje të cilësisë në shërbime shëndetësore, administrative, arsimore e kulturore, avancim të shërbimeve publike etj.

Urime bashkëqytetarë, vazhdojmë tutje drejt sukseseve të reja!

Për më shumë shih linkun:

Raportet Vjetore të MAPL-së

Performanca Komunale

SL

Reklama