Kompensohen dëmet nga fatkeqësitë natyrore, përfitojnë 302 fermerë rahovecas

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka njoftuar dje se do të bëhet dëmshpërblimi i fermerëve për dëmet nga fatkeqësitë natyrore.

Ai ka thënë se pas angazhimit të komunës, në koordinimin me komisionin për vlerësim nga Ministria e Bujqësisë, dje është pranuar lista përfundimtare për kompensim, ku përfitues janë 302 fermerë, për dëmet e shkaktuara në periudhën janar-shtator 2021.

Latifi ka shkruar:

Të nderuar bashkëqytetarë,

Ju informojmë se pas insistimit dhe kërkesave tē vazhdueshme nga ana e komunës sonë dhe falë

një pune të palodhshme nga stafi i DBPZHR-së, e në koordinim të plotë me komisionin për vlerësim nga Ministria e Bujqësisë, sot kemi pranuar listën përfundimtare për kompensim nga e cila listë janë përfitues 302 fermerë të komunës sonë të dëmtuar nga fatkeqësitë natyrore gjatë periudhës, janar-shtator 2021.

Vlera totale e dëmeve të përllogaritura, duke u bazuar në kriteret e përcaktuara për vlerësim nga ana e komisionit të Ministrisë është: 626,067.06€.

Bazuar në vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, nga kjo shumë do të kompensohen 36%, pra fermerët e komunës sonë do të përfitojnë 225,384.14€.

Uroj që këto mjete fermerëve tanë sadopak t’u dalin në ndihmë, pas humbjeve që kanë pësuar nga fatkeqësitë natyrore!

Reklama