Kokaj e pyet pse në Kosovë s’ka sistem kundër breshrit, Peci thotë se në Evropë llogaritet i tejkaluar

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Kokaj, në seancën e sotme të Kuvendit ka ngritur si shqetësim faktin që në Kosovë ka mungesë të sistemit për mbrojtjen kundër breshrit.

Duke ju drejtuar ministrit të Bujqësisë, Faton Pecit, deputeti Kokaj tha se në mungesë të këtij sistemi, po dëmtohen prodhuesit e vreshtave dhe prodhimeve bujqësore.

“Jemi koshient që ngrohja globale po vepron në mënyra agresive e kjo manifestohet me klimën ekstreme dhe ndryshime rapide të temperaturave. Ministër, e kam paraqitur këtë problem edhe më herët se duhet të kemi sistemin anti-breshër. Qytetarët po vuajnë, sidomos prodhuesit e vreshtave e prodhimeve bujqësore. Ky sistem është shumë i rëndësishëm dhe të mbrohemi nga breshëri”, u shpreh ai.

E në fjalën e tij, ministri Peci tha se “sistemi anti-breshër që e ka pasur Kosova tashmë në vendet më të zhvilluara në Evropë llogaritet se është i tejkaluar”.

“Për njohurinë tuaj, Ministria e Bujqësisë ka kompensuar me tre milionë euro bujqit për humbjet e dy viteve të fundit nga breshëri. Jemi të vetëdijshëm që për shkak të kushteve klimatike ka probleme të tilla, ndaj kemi filluar një interesim dhe koordinim institucional”, u shpreh ai.

Tutje, Peci tha se ka praktika të tjera në vendet e rajonit, por edhe të Bashkimit Evropian për t’i zbutur të reshurat e breshrit dhe se janë duke shqyrtuar shembuj të tillë si në Austri.

“Na duhet koordinim me KFOR-in, Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës dhe Agjencinë e Aviacionit. Në momentin që do të kemi analizën e saktë do ta shqyrtojmë dhe do të jetë një nga çështjet se do ta adresojmë”.

Telegrafi javë parë ka raportuar se Kosova është një nga vendet e vetme në rajon që nuk ka sistem për mbrojtjen kundër breshrit.

Një sistem të tillë e ka pasur deri në vitin 1999, kur kanë funksionuar 104 pika lansuese të raketave për mbrojtje kundër kësaj fatkeqësie natyrore.

Por, në kohën e luftës këto pajisje janë vjedhur dhe shitur për hekur, pati deklaruar në një intervistë për Telegrafin, Besim Aliu – Koordinator dhe Parashikues i Motit në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës.

Breshri viteve të fundit ka shkaktuar dëme të pariparueshme në bujqësi, përkatësisht në prodhimtarinë bimore. Raporte nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural flasin se gjatë viteve të kaluara, në disa rajone të Kosovës, breshëri ka dëmtuar kulturat bujqësore në një shkallë të konsiderueshme, posaçërisht në periudhën e vegjetacionit të bimëve.