Kjo është vërteta mbi uljen e subvencioneve për vreshtarët nga 1,000 në 400 euro për hektarë

Gjatë ditëve të fundit ka pasur reagime të Shoqatës së Vreshtarëve “Vreshtari” në Rahovec, ndaj dyshimeve të fundit se Ministria e Bujqësisë po përpiqet që të ulë mbështetjen që parashihet t’u shpërndahet kultivuesve të rrushit.

Sipas disa mesazheve të shkëmbyer mes grupit punues për subvencione dhe vet Ministrisë së Bujqësisë, aty jepet një propozim që subvencionimi për vreshtarët të zbresë nga 1,000 euro për hektarë në 400 euro për hektarë.

Me këtë propozim, bëhet një përpjekje nga ana e grupit punues të caktuar nga ministria që subvencionimi për vreshtarët të barazohet me subvencionimin për pemëtarët.

“Vreshtarë të dashur dhe të vyeshëm, ju ftojm që së bashku të përgatitemi ta kundërshtojmë këtë tendencë për shkatërim të sektorit vreshtar. Letrën e kundërshtimit të dërguar zyrës së kryeministrit dhe MBPZHR-së”, thuhej në njërin prej reagimeve të shoqatës rahovecase.

Megjithatë, nuk shkoi shumë dhe ndaj këtyre protestave mediale të “Vreshtarit” reagoi pastaj Minsitria e Bujqësisë.

Në reagimin e Ministrisë thuhet se nuk ka asgjë të vërtetë dhe as që është marrë ndonjë vendim për të ulur  subvencionet për vreshtarët.

“Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural me këtë rast njofton të gjithë fermerët e Republikës së Kosovës, me theks të veçantë vreshtarët se nuk ka asgjë të vërtetë në këtë reagim/lajm dhe se MBPZhR deri më tani nuk ka marrë kurrfarë vendimi për uljen ose ngritjen e kësaj kategorie apo të çdo kategorie tjetër të mbështetjes përmes Programit të Pagesave Direkte – Subvencioneve. Kërkojmë nga opinioni publik që mos të bien pre e lajmeve dhe reagimeve të tilla, por të përcjellin vetëm informatat zyrtare të cilat i plason në publik institucioni ynë, konkretisht Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, për të cilat do të njoftoheni me kohë përmes komunikimit zyrtar”, u tha në reagim.

Ministria ka theksuar se gjithçka mbetet në nivel të propozimeve dhe se vendime konkrete nuk janë marrë ende.

“Për hir të korrektësisë ju njoftojmë gjithashtu se në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural janë themeluar grupet punuese përkatëse të cilat janë në proces të diskutimeve publike për hartimin e programeve për vitin 2021 në të cilat përfshihen edhe akterë nga shoqëritë civile, konkretisht përfaqësues nga shoqatat e fermerëve”, thuhet në fund të reagimit. /RahoPress/

 

Reklama