Kemi hyrë në një javë të nxehtë, mesi i javës sjell temperatura tropikale

Java që po hymë do të karakterizohet me mot mjaft të nxehtë dhe me temperatura verore. Fusha ajrore me presion të lartë atmosferik (anticiklone) do të mbeten dominante mbi rajonin tonë si dhe masat ajrore të nxehta me origjinë nga Afrika Veriore.

Kjo nënkupton se do të kemi mot kryesisht me diell dhe mjaft të nxehtë. Në disa rajone kryesisht kodrinore malore do të ketë gjasa për zhvillim të vranësirave të cilat mund të kushtëzojnë rrebeshe të izoluara shiu me vetëtima dhe bubullimë kryesisht pasditeve, mbrëmjeve apo eventualisht edhe natën. Reshjet do të jenë të rralla dhe të kufizuara në hapësira të ngushta gjeografike.

Nga mesi i javës pritet të kemi fuqizim të masave ajrore nga Afrika Veriore dhe si rrjedhojë edhe ngritje të mëtutjeshme të temperaturave. Gjithashtu edhe rrebeshet eventuale edhe ashtu të rralla do të rrallohen dukshëm. Sipas ecurive aktuale sinoptike nga e enjta e deri të dielën priten ditë mjaft të nxehta tropikale kur temperaturat maksimale mund të arrijnë deri në 38 gradë celsius në nivel rajonal. Edhe fundjava do të jetë mjaft e nxehtë, të dielën me mundësi për destabilizim të pjesshëm të motit pasdite dhe në mbrëmje, por kjo mund të ndryshojë.

 

Reklama