KB Rahoveci tërhiqet nga organizimi i ndeshjeve për shkak të Rregullores për Menaxhimin e Palestrës

Bordi i Klubit Basketbollistik Rahoveci është tërhequr sot nga organizmi i ndeshjeve për Kosovën, për të cilën gjë ka bërë të ditur nëpërmjet një njoftimi publik në faqen zyrtare.

Arsyeja e këtij veprimi është Rregullorja për Menaxhimin dhe Mirëmbajtjen e palestrës “Mizaher Isma”, që u miratua së fundmi në një prej mbledhjeve të Kuvendit të Komunal të Rahovecit me votat e të gjithë asamblistëve të pranishëm.

LEXO EDHE: Ky është sqarimi i Kryetarit Latifi për rregulloren mbi mirëmbajtjen e palestrës sportive

Për këtë rregullore kryetari i komunës Smajl Latifi kishte dhënë një sqarim ditë më parë, pas reagimeve e raportimeve të shumta, kryesisht nga oponentët politikë. Latifi kishte sqaruar se sipas rregullores, komuna do t’i mirrte KB Rahoveci vetëm 20% të të ardhurave nga shitja e biletave, përderisa jepte shembuj se si në komuna të tjera kjo shifër shkon në 30%.

Po ashtu, Latifi kishte sqaruar se komuna nuk e obligon financiarisht klubin për reklamat lëvizëse, që i bie se të gjitha të hyrat nga ato reklama i takojnë klubit.

Përkundër kësaj, KB Rahoveci sot ka marrë vendimin për tërheqjen nga organizimi i ndeshjeve, pa dhënë sqarim e kërkesë të qartë se si duhet të duket partneriteti mes komunës e klubit në menaxhimin e palestrës.

Në vend të kësaj, në reagim thuhet se suksesi i Klubit Basketbollistik Rahoveci ka filluar t’i pengojë dikujt. Edhe kjo deklaratë është e paqartë e konfuze, meqenëse nuk drejtohet gishti ndaj askujt.

Më poshtë RahoPress sjell reagimin e plotë të klubit, pa ndërhyrje redaktoriale:

KB RAHOVECI TËRHIQET NGA ORGANIZIMI I NDESHJEVE PËR KOSOVËN

Të nderuar qytetarë të Komunës së Rahovecit, skuadra jonë por edhe i tërë qyteti po kalon nëpër momentet më historike që nga themelimi i klubit. Organizimi i FINAL 8 arritja në finale të Superligës, ka bërë që për këto suksese të flasin edhe mediat ndërkombëtare, madje edhe të diskutohet në FIBA, dhe për këto arsye është vendosur që ndeshjet ndërkombëtare të Kosovës të zhvillohen në arenën “Mizahir Isma”, për çka KB Rahoveci ka kërkuar dhe është shprehur i gatshëm të organizoi këtë kompeticion të rëndësishëm për tërë Kosovën.

Të nderuar, duket se ky rrugëtim i suksesshëm ka filluar dikujt t’i pengoj gjatë rrugës. E gjitha ka nisur me diskutime për rregulloren dhe mirëmbajtjen e shtëpisë sonë, palestrës e cila është jashtë çdo standardi dhe etike për të ndihmuar klubet në zhvillimin e tyre. Dhe si për ironi, kjo rregullore u votua nga asamblistët e Kuvendit Komunal në Rahovec, vetëm një ditë pas arritjes së finales historike në Superligë.

Të nderuar, bordi i KB Rahoveci është në diskutim të kësaj çështje pothuajse nga dita e parë, përkundër angazhimeve të shumta që ka pasur rreth kampionatit u ka bërë me dije çdo herë autoriteteve lokale sy ky dokument është i pa pranueshëm dhe shumë i dëmshëm për klubet në Komunën tonë. Përveç kësaj, KB Rahoveci dy ditë para votimit ka dërguar edhe një email ku ka shprehur qartazi mos pajtimet për këtë çështje, por edhe kjo ka rënë në vesh të shurdhër. Injorimi i formës së tillë ndaj një klubi i cili po vazhdon të mbajë gjallë shpresën për sport jo vetëm në Rahovec, është i papranueshëm për ne.

Ne kuptojmë se palestra duhet të ketë zot shtëpie dhe për këtë bordi i KB Rahovecit në diskutimet e vazhdueshme ka dhënë propozime se si duhet të gjendet zgjidhja, ne mesin e tyre që palestra të menaxhohet në mënyrë të përbashkët nga klubi dhe komuna.

Ne u jemi falendures dhe çdo herë kemi qenë të tillë ndaj autoriteteve të Komunës të cilët kanë ndihmuar klubin në secilën formë, por konisederojmë se ndihma dhe një veprim i tillë më rregulloren, nuk i takojnë një bashkëpunimi të sinqertë dhe që ka për qellim zhvillimin e klubit dhe sportit në përgjithësi në komunën tonë.

Për këto arsye bordi i KB Rahovecit në shenjë mos pajtimi më këtë vendim të Kuvendit Komunal është tërhequr nga organizimi i dy ndeshjeve ndërkombëtare të Kosovës, ndaj Britanisë së Madhe dhe Luksemburgut. Për këtë vendim janë të njoftuar edhe autoritet e FBK-së. Bordi i KB Rahoveci i bënë thirrje Kuvendit Komunal që të tërheqë menjëherë këtë rregullore përpara se të merren veprime të tjera të cilat mund të dëmtojnë edhe më shumë të ardhmen e sportit dhe zhvillimin e klubeve.

BORDI I KB RAHOVECI
06.05.2019

Reklama