KB Rahoveci tërhiqet nga BIBL: Nuk po mund t’i mbulojmë shpenzimet

KB Rahoveci është tërhequr nga BIBL.

Këtë gjë klubi e ka konfirmuar nëpërmjet një deklarate publike.

Arsye për tërheqje, klubi ka thënë se janë shpenzimet e papërballueshme, prandaj kanë vendosur të qëndrojnë në Superligë dhe ta koncentrojnë energjinë në këtë drejtim.

Deklarata e plotë:

Pas mbledhjes së bordit, kemi marrë vendim që të largohemi nga BIBL.

Pas analizës së situatës momentale, kemi vërejtur se shpenzimet janë të papërballueshme, kurse synimi ynë kryesor është përqendrimi maksimal në Superligë, andaj jemi detyruar që të fillojmë reduktimet e shpenzimeve sa më shumë që është e mundur dhe kështu ta përballojmë kampionatin dhe ndryshimet që i kemi menduar t’i aplikojmë. Kjo është e vetmja arsye pse ne largohemi dhe nuk ekziston asnjë tjetër.

Shtëpia numër një e basketbollit kosovar, FBK’ja na ka mbështetur plotësisht në këtë vendim, pasi shihet si lëvizje pozitive e jona.

Gjithsesi, i falenderojmë të gjithë ata që në njëfarë mënyre apo tjetrën ishin pjesë e rrugëtimit tonë të deritanishëm në këtë kompeticion, me shpresën se për së afërmi i kemi plotësuar kërkesat e juaja, përkundër vështirësive që i kemi hasur.

Jemi të bindur se do të korrim suksese në Superligë, andaj kërkojmë mirëkuptimin e tifozëve për këtë tërheqje, me shpresën se do ta gjejmë mbështetjen e plotë në ndeshjet e mbetura.