Kandiq: Kurti të heqë dorë nga padia, s’ka gjasa që GJND-ja ta bëjë përgjegjëse Serbinë për gjenocid

Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, shkrimtarja dhe aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, e cila në vazhdimësi ka denoncuar brutalitetin dhe krimet e Serbisë, Natasha Kandiq, në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express, ka folur për premtimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për padi për gjenocid ndaj Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Kandiq e ka quajtur nismë politike premtimin e liderit të Vetëvendosjes dhe ka potencuar se si të tillë s’mund as ta përkrahë, meqë thotë se ajo ide nuk i kontribuon sundimit të ligjit dhe drejtësisë për viktimat

Por, cilat janë mësimet që duhet nxjerrë nga rastet e Kroacisë dhe Bosnjës?-  A mund të dënohet Serbia për gjenocid në Kosovë nga GJND-ja?- A ka ekspertë në Kosovë që mund të përgatisin padinë?- A mund t’i futen juristët ndërkombëtarë një aventure të tillë të vështirë? A mund që Kosova të llogarisë në Shqipërinë dhe Edi Ramën për këtë çështje dhe cilat mund të jenë pasojat politike për Kosovën në rast të humbjes së një beteje të tillë kundër Serbisë?

Për këto dhe detaje të tjera intervista e plotë:

Gazeta Express: A mendoni se është një proces shumë i vështirë bazuar në faktin që Bosnja dhe Kroacia e kanë humbur një betejë të tillë kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë?

Natasha Kandiq: GJND-ja ka konstatuar se Serbia është përgjegjëse për shkeljen e Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit në Srebrenicë dhe jo për kryerje të gjenocidit, për të cilën Bosnja dhe Hercegovina ngriti padi. Duhet pasur parasysh se përpara këtij vendimi, Tribunali Ndërkombëtar për Krimet në Jugosllavi kishte dënuar oficerë të Ushtrisë së Republikës Serbe për ndihmë ndaj gjenocidit të Srebrenicës dhe kishte indikacione që GJND-ja nuk kishte bazë ligjore për ta bërë Serbinë përgjegjëse për gjenocid. Ndonëse nuk është një vendim për kryerje të gjenocidit, vendimi për shkelje të Konventës është shumë vendim i vështirë, që tregon për përgjegjësinë e madhe të Serbisë. Kur flasim për padinë e Kroacisë, ishte një akt politik, përfundimi dihej paraprakisht. Nuk ka vendim për gjenocid të Tribunalit Ndërkombëtar për Krimet në Jugosllavi, GJND-ja s’ka prova për një vendim për gjenocid në Kroaci. Kroacia ka shpenzuar shumë para dhe nuk pati rezultate. Njoftimi i kryeministrit Albin Kurti se Kosova do të ngrejë padi për gjenocid nuk ka bazë ligjore. Nëse kryeministri angazhon ekspertë ndërkombëtarë për të vërtetuar se Ushtria Jugosllave dhe Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë kryen gjenocid në Kosovë pas vendimeve të Tribunalit Ndërkombëtar për Krimet në Jugosllavi, do t’i kushtojë shumë Kosovës, shteti serish do të premtojë drejtësi për viktimat, drejtësi speciale, ndëshkim për Serbinë si shtet, dhe Gjykata Ndërkombëtare nuk do të shpallë një vendim të tillë.

Gazeta Express: Cilat janë shanset që Kosova të mund ta padisë Serbinë dhe ta fitojë rastin?

Natasha Kandiq: S’ka asnjë shans që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të marrë vendim që Serbia është përgjegjëse për gjenocid në Kosovë. Qeveria e re e Kosovës duhet ta raportojë në Bashkim Evropian dhe Kombe të Bashkuara se si Serbia nuk po i ndëshkon përgjegjësit brenda Ushtrisë Jugosllave dhe oficerët e Ministrisë së Punëve të Brendshme për vrasjen e rreth 7 mijë civilëve shqiptarë, dhe t’iu tregojë atyre (BE’së dhe Kombeve të Bashkuara) se Serbia i trajton ata si heronj, dhe do ta ketë përkrahjen e shoqërisë civile të Serbisë, veçanërisht të Qendrës për të Drejtën Humanitare. Tribunali Ndërkombëtar për Krimet në Jugosllavi ka dhënë mijëra prova kundër oficerëve të Ushtrisë Jugosllave të MPB-së së Serbisë, të cilat janë injoruar plotësisht nga Prokuroria Serbe. Qeveria e Kosovës duhet të insistojë që Bashkimi Evropian, siç mbështet punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës, duhet të reagojë fuqishëm ndaj faktit se Serbia nuk po i përmbush detyrimet e saj ndërkombëtare kur bëhet fjalë për krimet e kryera kundër Kosovës. S’ka pasur aktakuza të reja për krimet në Kosovë për një kohë të gjatë. Qeveria e Kosovës mund të gjejë mbështetje të fuqishme për këtë çështje. Por jo për ide politike, siç është kjo e padisë për gjenocid. Një çështje tjetër shumë e rëndësishme janë të zhdukurit, por në mesin e të zhdukurve (1642) ka edhe shqiptarë për zhdukjen e të cilëve janë përgjegjës UÇK’ja. Sido që të jetë, ka një numër të madh të zhdukjeve në grupe, siç janë zhdukjet e 30 burrave në Beleg, 50 nga Kralani, 15 të tjera nga Meja, së paku 25 nga Deçani, Krusha e Vogël dhe Rahoveci- për të cilët janë përgjegjës Ushtria Jugosllave dhe Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë,

Gazeta Express: Cila mund të jenë pasojat politike nëse Kosova humb një betejë të tillë në GJND kundër Serbisë?

Nastasha Kandiq: Më lejoni të përsëris, kjo padi nuk duhet të përgatitet. S’ka ekspertë në Kosovë që mund ta bëjnë një gjë të tillë, derisa ekspertët më të mirë ndërkombëtare nuk do të pranojnë një punë të tillë, përjashto ata që e shohin si një mundësi për të fituar shumë para. Instituti i Krimeve të Luftës duhet të ringjallet. Një ka ekzistuar, tjetri duhet të shfrytëzojë ato çfarë Instituti kishte grumbulluar, dhe të vazhdohet drejt ndërtimit të një institucione të rëndësishëm.

Gazeta Express: Në opinionin tuaj, cilat janë parakushtet që Kosova duhet të përmbush për t’u future në një betejë të tillë me Serbinë në GJND?

Natasha Kandiq: Nëse Qeveria e Kosovës dhe kryeministri, Albin Kurti, nuk zmbrapsen nga ideja e tyre për padi për gjenocid, atëherë kanë një punë të madhe përpara, që do të kushtojë shumë-para se gjithash, për të vendosur se kush do ta ngrejë padinë. Nuk jam e sigurt që Edi Rama do të përkrahë një ide të tillë dhe që Kosova mund të llogarisë në Shqipërinë për një gjë të tillë.

Gazeta Express: A do ta ndihmoni Kosovën rreth kësaj çështje nëse një gjë e tillë iu kërkohet nga institucionet e Prishtinës?

Natasha Kandiq: Sikur më herët, Qendra për të Drejtën Humanitare do të mbështesë drejtësinë për viktimat e shkaktuara nga forcat serbe, por në rastin e padisë për gjenocid, ne nuk mund të mbështesim një ide politike që nuk i kontribuon sundimit të ligjit dhe drejtësisë për viktimat. Por, si më parë, ne gjithmonë do të themi dhe do të paraqesim prova se si Qeveria e Serbisë mbron nga përgjegjësia penale qindra oficerë që kanë kryer krime në Kosovë.

Reklama