Kandidati i PDK-së për deputet mallkon votuesit: Ju raftë Covidi

Kandidati për deputet i PDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit, Haki Morina, ka mallkuar personat të cilët ia kishin premtuar votën e nuk ia dhanë.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se “Ata që pa ua kërkuar ma kanë premtuar votën e s’ma kanë dhënë, ju rafte COVID-19”. Edhe pse fillimisht ai kishte mallkuar më rëndë, duku iu uruar t’iu bie kanceri, sida e Covidi, porse më vonë e kishte edituar postimin.

Më vonë poashtu përmes një postimi në Facebook ai ka thënë se statusi i tij ishte “gjysmë humori”. Mirëpo ai nuk e ka tërhequr mallkimin, duke shtuar se kjo nuk vlen për të gjithë votuesit, por vetëm për ata që ia kanë premtuar votën.

“Pak më parë e bëra një status gjysmë humori, duke mallkuar ata që vullnetarisht janë lajmëruar për të më votuar, por edhe lobuar, dhe në fund se kanë dhënë as votën e tyre. E kapin me shpejtësi shumica e portaleve, duke e ditur që mileti ynë injorant nuk e kupton drejt, në mënyrë që të kenë klikime sa më shumë. Ata që janë lajmëruar vullnetarisht, e s’më kanë votuar mund të numërohen në gishta. Unë për ta e kam pas fjalën, dhe jo për qindra mijëra njerëz që s’më njohin, e as nuk i njoh. Unë kurrë nuk kam qenë në pushtet, qe indirekt apo direkt që të kem sadopak përgjegjësi për veprimet 20-vjeçare të politikës së Kosovës. Përkundrazi, tërë jetën kam vuajte nga politika”, ka thënë ai.

Morina ka shkruar se abuzimi me të tilla veprime është e dëmshme për të ardhmen e Kosovës.

“Te abuzosh me kësi lloj veprimesh siç bënë sot portalet me turmën injorante te haxhi qamileve është e dëmshme për të ardhmen e Kosovës. Mediat, e në veçanti portalet, janë ato që e kanë dëmtuar dhe vazhdojnë ta dëmtojnë interesin e Kosovës. Është interesant se shumë lexues që janë edhe të shkolluar nëpër podrume, e sidomos ata të pas luftës, nuk dinë të lexojnë. Ooo milet, mësohu të lexosh njëherë, e pastaj komento. Tash këtë status timin sigurisht që nuk e botojnë, sepse atyre ju duhen vetëm postimet që ju shërbejnë linqimit te njerëzve të pafajshëm”, ka shkruar ai.

Reklama