Kandidatët për deputetë nga AAK, takim me verëtarët: Sektor i rëndësishëm për Rahovecin, do të angazhohemi për lehtësira

Kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës, Berat Duraku bashkë me kryetarin e AAK-së në Rahovec, Smajl Latifi e tre kandidatët Fatmir Iska, Bondina Kleqka e Mahmut Morina, sot janë takuar me prodhuesit e verës nga komuna e Rahovecit.

“Sot bashkë me kandidatët e Aleancës për deputetë Fatmirin, Bjondinën dhe Mahmutin takuam disa prej verëtarëve të komunës së Rahovecit, ku prezent ishin edhe përfaqësuesit e Shoqatës së Verëtarëve të Kosovës “Enologjia”, me të cilët diskutuam për nevojën e mbështetjes institucionale për këtë sektor kaq të rëndësishëm për ekonominë e komunës sonë.  Është evidente se pandemia e ka goditur edhe biznesbërjen e këtij sektori, prandaj ndërhyrja e institucioneve është e nevojshme”, ka shkruar Duraku.

Duraku ka thënë se do t’i kushtojë vëmendje të veçantë përmirësimit të kushteve të verëtarëve, që produktet të tyre të mbrohen si prodhime vendore dhe të lehtësohen procedurat e eksportit.

Ai ka thënë se verëtaria ka prodhuar vende pune e ambient afarist në Rahovec, prandaj sipas tij, është qenësore që ky sektor mbështetet.

“Vera e bodrumeve të Rahovecit ka arritur deri në raftet e marketeve të shteteve të largëta të botës, duke krijuar punësim e ambient afarist në komunën tonë. I di shumë mirë problemet dhe barrierat me të cilat përballet ky sektor, prandaj u zotova që një pjesë të madhe të angazhimit tim në Kuvendin e Kosovë, do t’ia dedikoj mbrojtjes së prodhuesve vendorë në përgjithësi, dhe lehtësimit të eksportit të produkteve tona në veçanti.  Duke u ndihmuar verëtarëve ne i ndihmojmë Rahovecit dhe të gjithë vreshtarëve të vyer të komunës sonë! #FORCAESHTETIT #81”, ka shkruar Duraku.

Reklama