Kadri Veseli tenton ta mashtrojë rininë që iku nga Kosova gjatë qeverisjes së PDK-së

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar sot, në Ditën ndërkombëtare të Rinisë disa të rinj nga Kosova që janë larguar nga vendi e aktualisht janë me pushime në vendlindje.

Në përshkrimin që Veseli u ka bërë të rinjve që i ka takuar shihet se ata janë larguar, madje duke i mbyllur bizneset e tyre, në kohën kur një ndër resorët kryesorë të qeverisë që merren me ekonominë, siç është ai i Zhvillimit Ekonomik, drejtohej nga këshilltari i tij aktual, Blerand Stavileci.

Veseli ka takuar disa të rinj, të cilët kanë lënë Kosovën dhe po ushtrojnë veprimtarinë e tyre në shtetet perëndimore, pasi sipas tyre Kosova nuk u ka ofruar këto mundësi.

Në një publikim në Facebook, Veseli ka thënë se largimi i rinisë është problemi më shqetësues i Kosovës.

Ai tutje ka shkruar se për të mbajtur rininë në Kosovë duhet të luftohet nepotizmi në punësimet publike si dhe korrupsionin që po pengon investimet dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Hulumtimet e KALLXO.com muajve të fundit kanë zbuluar edhe shumë punësime politike në Administratën Tatimore të Kosovës dhe institucione tjera.

Përderisa Veseli ka premtuar luftimin e nepotizmit, zyrtarë të lartë të partisë së tij, deputetë e ministra, janë duke u përballur aktualisht me një proces gjyqësor që ka të bëjë me një aferë përgjimesh e cila zbuloi lidhje nepotiste e politike në punësimet në institucione e kompani publike.

Veselit i ka dështuar iniciativa për largimin nga partia të personave me aktakuza për korrupsion meqë kryetari i degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku nuk ka pranuar ta lëshojë pozitën ndërkohë që Adem Grabovci, i akuzuar në aferën e përgjimeve Pronto, ka marrë pjesë në mbledhjen e fundit të Këshillit Drejtues të PDK-së bashkë me të akuzuar tjerë.

PoPor Veseli ka ka shtuar se si kryeministër i ardhshëm do të bindë të rinjtë që të kthehen dhe të tregojnë aftësitë e tyre në Kosovë.

“Sot është Dita Ndërkombëtare e Rinisë dhe largimi i të rinjve është një ndër problemet më shqetësuese të Kosovës. Me këtë rast, vendosa të takoj disa të rinj që kanë emigruar kohëve të fundit e që gjenden për pushime në Kosovë. Me ta bisedova për shkaqet që i kanë detyruar të ikin dhe për çfarë duhet bërë që të nxisim kthimin e tyre. Argjendi më tregoi se e kishte lënë shkollën para tre vjetësh dhe ishte larguar në Itali sepse mendonte që pozitat e punës merren me të njohur e jo me meritë. Shqiprimi po ashtu më tregoi se ka ikur para tre muajsh në Gjermani pasi nuk pati mundësi ta mbante hapur biznesin e tij, ndërsa Redoni i diplomuar në marketing, është detyruar të shkoj në Austri. Është më se e qartë që për t’u ofruar atyre mundësi brenda Kosovës, duhet të luftojmë nepotizmin në punësimet publike si dhe korrupsionin që po pengon investimet dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Po ashtu, si kryeministër i ardhshëm do të kem prioritet krijimin e fondit për autostradën e punësimit, që do t’i bindi këta të rinj e shumë të tjerë që të kthehen e shpërfaqin aftësitë dhe energjitë në Kosovë”, ka shkruar Veseli.