Ka je ma vonë? Esati është normal, jo ne

Në rrjetin social TikTok, po zhvillohet një jetë paralele. Të rinjtë e të rejat, kanë ndërtuar një realitet të ri larg Instagramit e Facebook-ut, ku algoritmet e paguara dhe marketingu “profesional” (tejet i bezdisshëm, për shkak se jokreativ dhe jo profesional), nuk kanë depërtuar ende.

Epitomë e botës shqiptare në TikTok, është Esati, i njohur tashmë si Esati i TikTokut. Ai ka mijëra ndjekës, mbi 200 mijë në kohën kur po shkruhet ky artikull. Përcillet çdo natë nga mijëra njerëz online. Thuhet se njëherë ka mbledhur rreth 45 mijë shikues përnjëherë. Këtë rekord shikueshmërie e kishte thyer vetëm Albin Kurti, në një kohë të tensionuar politike e në kohë pandemie si dhe me angazhimin e mijëra aktivistëve të Vetëvendosjes, profesionistëve medialë dhe të rrjeteve sociale.

Esati nuk i ka këto kapacitete e as trashëgiminë atraktive politike të Kurtit. Ai është krejtësisht i vetëm dhe i papërvojë. Përkundër kësaj, Esati mund për çdo natë televizionet e mëdha të vendit dhe emisionet e përnatshme debatuese, në terma të shikueshmërisë online. Me kamerën e tij të një telefoni mesatar (mid-range) dhe nga kauçi modest, Esati, nga një fshat i Skenderajt, është i pakonkurrencë nga televizionet me ndërtesa të mëdha, teknologji milionëshe, studio moderne, analistë të shumtë, staf me qindra e kamera HD.

Ju që s’e njihni ende, me të drejtë mund të pyesni, po çfarë ka të veçantë te Esati që ndiqet aq shumë? Sipas normalizimit të figurës së njeriut publik në shoqërinë tonë, mund të mendoni: a mos është i pasur Esati? A mos ka bërë ndonjë skandal? A mos është femër seksi që nuk heziton të zhvishet? A mos është pjesë e një shou të shpifur si “Përputhen”? A mos është pjesë e ndonjë partie politike? A mos është i porositur ose i paguar për të bërë propagandë për dikë apo kundër dikujt?

Jo-jo, asnjëri prej tyre nuk është Esati. Esati vjen nga direkt nga baushtella. Deri vonë, kur nisi ta monetizojë përmbajtjen në TikTok, ai ka punuar për disa kompani ndërtimtarie në Kosovë. Te Esati nuk ka absolutisht asgjë të veçantë, përveç origjinalitetit, naivitetit dhe gatishmërisë për t’u shprehur e vepruar pa komplekse përballë audiencës masive.

Esati nuk është shkencëtar, e as nuk ka ndonjë aftësi apo prirje të caktuar në ndonjë fushë, të paktën jo një që mund të hetohet. Po të ishte ashtu, askush nuk do ta donte, me siguri. Ai është thjesht një djalosh i një zone rurale, që vjen nga një familje e varfër apo në rastin më të mirë, një familje e mesme.

 

Esati, fenomeni i TikTok

“Mos u merakos për atë punë”, “Ka je ma vonë”, “Myte babo”, “Puf ia kom ba”, janë shprehjet magjike të Esatit. Me këto shprehje sharmante është bërë i njohur e ato funksionojnë dhe duken të këndshme për ndjekësit e tij, secilën herë që i përsërit. Por, përtej këtyre shprehjeve, Esati paraqet guximin e munguar të njerëzve për të jetuar në lëkurën e vet. Esati është tejet interesant të ndiqet, sepse si pakkush në këtë kohë, nuk vuan nga iluzione të shndërruara në komplekse për të qenë krejt diçka tjetër nga ajo që vërtet është. Esati ha suxhuk para 20 mijë njerëzve, madje me një ton kërcënues kërkon prej familjarëve që t’ia sjellin kur është online. Esati i diskuton edhe çështjet e tij krejt private e familjare para kamerës dhe shpreh hapur qëllimet e tij, që në TikTok rri sepse përfiton. Si duket, me paratë që po i fiton ai e ka nisur ndërtimin e shtëpisë së re në fshatin e tij dhe po ngutet që të mbledh sa më shumë para për t’i dalë në krye, siç thotë ai, përpara se t’i bie fama. Është duke u përgatitur për plloçën e parë.

Esati, ndonëse naiv për shumë çështje, nuk manipulohet nga figura të tjera të TikTok-ut, që dorën në zemër, duken goxha të ndyra moralisht dhe etikisht. Intrigantë të shumtë që duan të përfitojnë mbi shpinën e tij, deklasohen me shpejtësi nga Esati i TikTokut, i cili heton dinakërinë e tyre, kur ata i shfaqen si dashamirës e miq të mirë. “Mos u merakos për punët e mia”, u thotë Esati. Fenomeni i TikTok-ut i ka qëllimet e qarta, nga të cilat nuk mund ta devijojë askush. Ai është në TikTok për të përfituar dhe për ta ndërtuar shtëpinë e re dhe eventualisht për ta blerë një veturë të re. Deri tash, këto janë qëllimet modeste, që i ka shprehur disa herë.

Mbi të gjitha, Esati është ai që është, sepse nuk turpërohet nga vetja e tij, nga puna e tij, nga familja e prejardhja e tij, nga fshati e komuna e tij. Esati nuk e ndryshon të folurit e as theksin e tij. Esat Kuqica i ka shokuar të gjithë ata që s’e pranojnë dot veten dhe që jetojnë nën terrorin e përditshëm për t’i ndryshuar gjërat që s’mund të ndryshohen. Esati lëre që nuk turpërohet, por ai ndjehet edhe krenar për atë që është dhe që e rrethon. Të gjithë duam të jemi si ai, të çlirohemi nga kjo intencë e përditshme për t’iu përshtatur standardeve të normalitetit, që janë përcaktuar nga disa idiotë. Esati nuk ia var askujt dhe nuk gënjen. Të gjithë po e lakmojmë imunitetin e tij nga budallallëqet e këtyre ditëve, që s’na lënë rehat, duke na bërë presion për t’u dukur normal.

 

Esati, alarm për mediat dhe njerëzit

TikTok-u është një prej rrjeteve më të mëdha sociale në botë. Është ende i paeksploruar dhe i padominuar nga kompanitë e marketingut dhe subjektet biznesore që posedojnë shumë para. Pra, algoritmet e tij ende përkrahin të vegjlit si Esati, që ngriten në saje të origjinalitetit të tyre dhe jo si produkt i shfaqjeve të imponuara përmes targetimit monetar, që njerëzit e fushës i quajnë strategji për rritje të audiencës. Qesharake, po nejse. Për ta përmbledhur, duhet thënë se Esati i TikTok-ut është alarm për mediat që të ndryshojnë formatin e tyre të emisioneve, t’i heqin figurat bajate nga studiot e tyre, që në rastin më të mirë janë biznesmenë të paetikë, dhe t’u japin hapësirë njerëzve me mendime, qëllime dhe pasione origjinale për temat që duhet trajtohen dhe nuk trajtohen asnjëherë. Esati është alarm edhe për njerëzit, që të heqin dorë nga iluzionet dhe komplekset e shumëllojshme. Nuk mund të jemi të gjithë yje të Hollywood-it, milionerë, aktorë të famshëm e figura të njohura mediatike. Ndoshta as nuk duam që të jemi të tillë. Iluzionet dhe komplekset na lënë prapa, çojnë dëm potencialet tona në fusha të caktuara që mund t’i kemi. Dikush, duke dashur të bëhet Blendi Fevziu ose Kim Kardashiani, mund ta humbë potencialin e tij/saj që të bëhet inxhinier/e i/e mirë.

Të mësojmë nga Esati, sepse ai është normal, jo ne!