Java nis me diell, por mund të ketë edhe rrebeshe shiu

Sot në Kosovë do të mbajë mot i ndryshueshëm, me intervale kohore me diell dhe vende-vende me zhvillim vranësirash dhe me ndonjë rrebesh të izoluar shiu me vetëtima dhe bubullimë pasdite.

Në Shqipëri edhe sot pritet të kemi mot jo stabil dhe vende-vende me rrebeshe shiu me vetëtima dhe bubullimë gjatë ditës. Reshje pak më intensive priten në veri dhe veriperëndim të vendit.

Edhe në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi pritet të mbajë mot i ndryshueshëm dhe herë pas here dhe vende-vende pritet të ketë edhe rrebeshe shiu me vetëtima dhe bubullimë.

Nesër në tërë rajonin pritet të kemi më shumë diell, megjithatë ende nuk do të kemi mot tërësisht stabil sepse në disa rajone ende priten rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë. Ngjashëm do të jetë edhe ditën e mërkurë, ndërsa të enjtën reshjet do të jenë më të shpeshta dhe do të kapin më shumë territor.

Pra, gjykuar në përgjithësi vazhdon mot i ndryshueshëm edhe ditëve të ardhshme. Edhe pse nuk priten reshje intensive, nuk pritet as stabilizim i motit, pra pothuajse çdo ditë në disa rajone priten rrebeshe verore shiu të cilat do të kanë karakter lokal. Në këto raste është shumë vështirë me e ditë saktë se ku do të ndodhë një rrebesh. Gjithsesi do të ketë rajone me mot të mirë dhe pa të reshura. Pra, kjo është natyra e reshjeve pranverore dhe verore kur reshjet janë të karakterit lokal, prandaj edhe parashikim plotësisht i saktë është i pamundur dhe në këto raste kjo na shkakton nganjëherë edhe kokëçarje sepse lexuesit kërkojnë saktësi të madhe.

Sidoqoftë, edhe një herë ditëve të ardhshme do të kemi intervale të gjata kohore me diell, vranësira të shpeshta, vende-vende rrebeshe shiu dhe ulje-ngritje të shpeshta të temperaturave./Meteoballkan

Reklama