Ish-mësuesin Hajda e demantojnë nga Vetëvendosje në Rahovec: Ai nuk është pjesë e partisë sonë

Para pak ditësh nëpër shumë media vendore morri vëmendje lajmi për përfundimin e kontratës së përkohshme të Gazmend Hajda si mësues në dy shkolla të Rahovecit.

Hajda, i cili ushtronte funksionin e mësuesit në dy shkollat e mesme të ulëta “Isa Boletini” dhe “Bekim Sylka”, me të përfunduar kontratën e përkohshme që e kishte me drejtorinë e Arsimit, u angazhua që ta përsërisë një version të tij se ai po hiqej nga puna me motive politike nga ana e Komunës së Rahovecit.

Ai në një intervistë tha se është përjashtuar pa paralajmërim nga vendi i punës dhe këtë gjë e lidhi me faktin se ai është mbështetës e pjesëtar i Vetëvendosjes.

Por, si duket arsyeja e Hajdës nuk qëndron në versionin që ai e ka thënë publikisht.

Një prej aktivistëve më të vjetër të Lëvizjes Vetëvendosje në Rahovec, Durim Elshani, kishte reaguar ndaj Hajdës në Facebook. Ai kishte treguar se Hajda ishte punësuar pikërisht kur ishte anëtar i Vetëvendosjes dhe është shkarkuar (i ka përfunduar kontrata), kur nuk është më i tillë.

“Kur ka qenë anëtar i kryesisë e patën punësu, tash kur s’ka asnjë pozicion përfaqësues e heqën prej punës, e m’thotë për bindje politike! Ndoshta për bindje politike po, ama për cilat bindje, se nuk mundet i njejti person për të njëjtën bindje edhe me të punësu edhe me të largu. Ti ke vej interes personal, jo bindje politike”, kishte shkruar Elshani, duke e akuzuar Hajdën për deklarata të pavërteta.

Ndaj deklaratave të ish-mësuesit Hajda kishte reaguar edhe Drejtoria e Arsimit në Komunën e Rahovecit.

Drejtoria kishte sqaruar se ajo nuk ka mundësi që të shkarkoj mësimdhënës me kontrata të përhershme, ndërkohë që ka sqaruar, pa ia përmendur emrin, se Hajda kishte kontratë të përkohshme dhe e njëjta kishte përfunduar.

“Sa për informimin e opinionit të gjerë, në sistemin arsimor të komunës sonë asnjë punëtor i arsimit, që ka kontratë të përhershme nuk është larguar nga puna.  Nga kjo që u tha më sipër, rrjedh se Drejtoria Komunale për Arsim dhe as drejtori i saj nuk largojnë punëtorët e arsimit nga puna. Ne i kuptojmë pakënaqësitë eventuale që vijnë në shprehje tek punëtorët që kanë kontrata me kohë të caktuar, sepse edhe ata kanë nevojë të punojnë, por në rastet e tilla të gjithë ata e dinë se kontrata e tyre është me kohë të caktuar, e cila ka një datë të fillimit dhe një datë të mbarimit.  Në përputhje me udhëzimet administrative DKA zhvillon edhe procedurat e konkurseve për plotësimin e vendeve të lira pas mbarimit të afateve të kontratave të përkohshme.  Ne në DKA çmojmë punën dhe angazhimin e secilit mësimdhënës dhe punëtor të sistemit tonë arsimor, qofshin me kontratë të përhershme, qofshin me kontratë të përkohshme dhe i inkurajojmë ata që kanë kualifikimet përkatëse të aplikojnë në konkurset që shpall DKA”, ishte thënë në këtë reagim.

 

Reklama