Ish-ambasadori e qet në rrenë Isa Mustafën: E lutëm ta pranojë projektin për Kosovën A, na refuzoi

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka demantuar ish-Kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, – i cili gjatë ditës së hënë ka deklaruar se kompania gjermane Bilfinger nuk ishte e interesuar ta rindërtojë termocentralin “Kosova A”- duke thënë se një gjë e tillë nuk është e vërtetë.

Kjo pasi që, sipas tij, ambasada e Holandës dhe ajo e Gjermanisë bënë gjithçka për ta bindur qeverinë e atëhershme e udhëhequr nga Mustafa, se rindërtimi i katër nga pesë njësitë e Termocentralit “Kosova A” ishte i realizueshëm dhe relativisht i lirë.

“Fatkeqësisht deklarata e Mustafës është jo e vërtet. Kosova e humbi një shans pasi me një shumë relativisht të vogël parash energjia elektrike për Kosovën do të ishte siguruar që nga vitit 2018”, ka shkruar Bosch në llogarinë e tij social në Facebook.

Ndryshe Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se kompania gjermane Bilfinger nuk ka ofruar asgjë më shumë sesa 15 deri në 20 faqe Power Point dhe sipas tij kjo kompani ishte treguar e pa interesuar në rindërtimin e termocentralit “Kosovës A”.

“Është e vërtetë se në takimin tim, si kryeministër me kancelaren Merkel, më 30 qershor 2015, ndër çështjet e rëndësishme ishte edhe rindërtimi i Kosova A përmes firmës Bilfinger. Unë shpreha gatishmërinë e plotë ta zhvillojmë këtë projekt. Me angazhimin e Kancelares, të njëjtën ditë, në orët e mbrëmjes, kemi organizuar takim me përfaqësuesit e Bilfinger në Berlin”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Mustafa ka potencuar se ka kërkuar nga kjo kompani konkretizimi i propozimit të tyre, kostoja e investimit, kapaciteti dhe burimet e financimit, duke shtuar se përfaqësuesit e Belfinger u zotuan se do t’i informojnë brenda 15 ditëve, por nuk kanë informuar asnjëherë edhe përkundër insistimit të vazhdueshëm, të kabinetit të Mustafës.

“Duke pasur parasysh lidhjet ekonomike me Gjermaninë dhe teknologjinë gjermane në gjenerimin e energjisë elektrike në Kosovë, ne kemi qenë të interesuar që projektin ta realizojmë së bashku me ta, por kompania Bilfinger është treguar krejtësisht e painteresuar. Krahas kësaj ne kemi vazhduar me Kosovën e Re”, ka shtuar ai.