Isa Mustafa komenton shallat e kuqe në qytete: LVV të qartësojë se kush janë partnerët e saj

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka deklaruar se nuk është i sigurtë nëse qytetari është i informuar se çfarë paraqesin shallat e kuqe të lidhura në drunjtë e Prishtinës, dhe jo vetëm aty, për të ardhmen e vendit.

Mustafa ka shkruar në Facebook se Lëvizja Vetëvendosje duhet të qartësojë se kush janë partnerët e saj.

Sipas kreut të LDK-së, vota është shprehje e vullnetit politik, e bindjeve por edhe e perceptimit.

“Vota është vendimmarrje e qytetarit. Për të marrë vendim, element themelor është informata. Nuk jam i sigurt se qytetari është i informuar se çfarë paraqesin shallat e kuqe të lidhura në drunjtë e Prishtinës, dhe jo vetëm aty, për të ardhmen e vendit. Çfarë është simbolika dhe mesazhi i marsheve në sheshet e qytetit tonë? Çfarë është Republika e Tretë?”, thuhet në publikimin e tij.

Ai ka shtuar se vota është përgjegjësi ndaj shtetit.

“Një shtet e bëmë me SHBA-të dhe me partnerët tanë evropian, të zotuar për demokracinë perëndimore. Ndërkaq, VV duhet ta qartësojë se kush janë partnerët e saj për Republikën e Tretë. Ndryshe, në qoftë se votohet vetëm me emocione, rrezikojmë të vejmë shallat e kuqe rreth qafe, të marrëshojmë si në Revolucionin Kulturor Kinez e të mbesim pa asnjë republikë! Vota është përgjegjësi ndaj shtetit tonë!”, ka shkruar kryetari i LDK-së.

Javën e kaluar shirita të kuq nëpër drunj dhe shtylla janë vendosur në Prishtinë dhe Prizren.

Reklama