Instituti slloven: Kur të shkatërrohet dyshja Thaçi-Rama, nis përmirësimi i situatës

Instituti slloven, IFIMES, përveç zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, ka bërë një analizë edhe rreth vendimit të fundit të sekretarit të Shtetit Amerikan, Mike Pompeo, për të emëruar Matthew Palmer, si përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor.

Një vendim i tillë në analizë thuhet se vjen për shkak të gjendjes së tensionuar në Ballkan, gjë për të cilën IFIMES thotë se është si rezultat i mungesës së SHBA-së në rajon.

Megjithatë, instituti slloven e sheh si problem faktin që shtetet perëndimore kanë ndërtuar partneritet në Ballkan kryesisht me “struktura politiko-kriminale”, raporton Gazeta Express.

Prandaj Instituti slloven thotë që “SHBA-ja duhet të punësojë agjencitë e saj për të luftuar krimin dhe korrupsionin, ashtu siç ka bërë Italia pas Luftës së Dytë Botërore”.

IFIMES si hap të parë propozon që të caktohen ata individë apo politikanë që veprojnë si faktor shkatërrues.

“Kështu pritet që së shpejti disa emra të rinj nga rajoni të futen në listën e zezë të administratës amerikane”, thuhet në këtë analizë të IFIMES.

Pa u dekriminalizuar shtetet e Ballkanit, IFIMES konstaton se nuk do të jetë e mundur që të kryhet ndonjë proces serioz politik që do të siguronte zhvillim ekonomik, paqe dhe stabilitet afatgjatë.

“Prandaj është me rëndësi jetike që këto procese të koordinohen me BE-në, pasi që shumica e fondeve përfundojnë në duart e krimit dhe korrupsionit”, potencon tutje analiza.

Në fund IFIMES thotë se pika fillestare që do t’i mundësonte Matthew Palmerit të bënte një punë të mirë do të ishte shkatërrimi i dyshes Thaçi-Rama.

“Shkatërrimi i dyshes së regjimit Thaçi-Rama ndoshta do të ishte pika më e mirë që do të shërbente si shembull i mirë për punën e Palmerit, si i dërguar special në Ballkan”, konstaton IFIMES.