Inspektorati rrëzon vendimin kundërligjor që e urdhëronte Latifin ta shkarkojë drejtorin Avni Morina

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka njoftuar se Inspektorati i Arsimit në Ministrinë e Arsimit e ka rrëzuar vendimin e inspektorit të arsimit në Gjakovë, i cili e urdhëronte joligjërisht kryetarit Smajl Latifi që ta shkarkojë drejtorin e Arsimit në Komunën e Rahovecit, Avni Morina.

Latifi ka thënë se deri tani ka heshtur për akuzat e pabaza dhe të motivuara politikisht që janë bërë, për ta dëmtuar në fushatë zgjedhore, por tani, ka thënë ai, drejtësia u vendos.

“Inspektorati i Arsimit në kuadër të Ministrisë së Arsimit e aprovon ankesën tonë ndaj inspektorit të arsimit në Gjakovë. Deri sot kam heshtur rreth akuzave të pabaza dhe të motivuara politikisht, që kanë pasur synim të më dëmtojnë mua në fushatë zgjedhore. Kam heshtur sepse i kam besuar drejtësisë. E sot drejtësia u vendos në vend, pasi që Inspektorati i Arsimit, gjegjësisht Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave dhe Kërkesave ka konstatuar se vendimi i inspektorit të arsimit në Gjakovë nuk ka bazë ligjore”, ka shkruar Latifi.

Kryetari i Rahovecit, i ka falënderuar zyrtarët ligjore që e kanë parandaluar një padrejtësi të tillë ndaj komunës që e udhëheqë.

“Falënderoj zyrtarët ligjorë që nuk kanë lejuar që të ndodhë një padrejtësi e madhe dhe e kanë kryer punën e tyre profesionale. Jam krenar me ekipin tim dhe punën që e kemi bërë dhe do ta vazhdojmë të bëjmë edhe në të ardhmen. Jemi faqebardhë para secilit qytetar!”, ka shkruar Kryetari Latifi.

Reklama