IKSHPK-ja paralajmëron përkeqësim të situatës nëse rriten rastet me COVID-19

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK), ka deklaruar se situatë epidemiologjike me COVID-19 në vend është jostabile, duke pasur parasysh se varianti Delta është prezent dhe dominues.

Në një komunikatë në Facebook, IKSHPK-ja shkruan se situata mund të përkeqësohet në rast të rritjes së rasteve të reja “dhe kjo mund të paraqesë mbingarkesë të re për sistemin shëndetësor dhe për profesionistët shëndetësorë”

“Andaj, IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, për respektimin e të gjitha masave sipas vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19, bëjmë thirrje në veçanti për kujdes dhe mosgrumbullim. Ndërsa, rekomandojmë institucionet përgjegjëse të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë. Është i domosdoshëm kujdesi i shtuar i të gjithëve që në mënyrë strikte të respektohet distanca fizike, të përdoren maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e hapësirave, duke pamundësuar dhe shmangur përhapjen eventuale të mëtejme të infeksionit të COVID-19”, thuhet në komunikatë.

IKSHPK-ja ka bërë thirrje për vaksinim gjithëpërfshirës, duke theksuar se duke u vaksinuar qytetarët mbrojnë veten dhe njerëzit e tjerë.

“Duke u vaksinuar vetë, ju mbroni veten, mbroni edhe njerëzit për rreth jush, në rend të parë familjen. Vaksinimi mbetet arma më e fortë për të parandaluar hospitalizimin. Të gjithë pa dallim dhe domosdoshmërisht duhet të vazhdojmë të zbatojmë masat parandaluese kundër COVID-19 dhe rekomandimet e profesionistëve shëndetësor.”

Reklama