Igballja, gruaja që shpëtoi fëmijët e kunatit të vrarë në luftë

Igballe Zymeri, kosovarja nga Gjilani e cila tash jeton në Gjermani, në emisionin e mëngjesit “SOT” ka rrëfyer historinë se si i dërgoi ilegalisht nga Kosova, dy fëmijët e kunatit të vrarë në luftë.

Diellën e Atdheun, fëmijët e Tefikut e Hanumshahes, tregoi se i fshehu me batanije për t’i kaluar 5 kufij.

Me të marrë vesh lajmin për vdekjen e familjarëve, Igballja kishte vendosur të kthehej për një kohë në Kosovë e qëllimi i saj ishte t’i merrte fëmijët me vete në Gjermani. Për këtë ide nuk ishte në dijeni asnjë pjesëtarë i familjes, madje as vjehrra e cila në atë kohë përkujdesej për dy të vegjlit.

“Askush nuk e ka ditur që po nisem për Gjermani, vjehrra ka menduar që jam duke shkuar në Bresalc tek baba. Ushqimin, pelenat e djalit të vogël, lodrat dhe rrobat, të gjitha i kam lënë në veturë”.

Sakrificat e këtij udhëtimi, sipas Zymerit ishin të mëdha. Por momenti i arritjes në Gjermani thotë se ishte i papërshkrueshëm, madje fëmijët e saj biologjik ia kishin liruar dhomën tashmë vëllait e motrës së tyre.

“Aq gëzim i madh ka qenë kur kam hyrë në shtëpi, sa kam menduar që bota është e imja” shtoi ajo.

Sipas Igballes, asnjëherë nuk i ndau fëmijët mes vete. Gjilanasja thotë se ajo ka katër djem e një vajzë.

“ Tash fëmijët më thërrasin nënë”.

Reklama