I vetëm në kamion e në lëvizje, dënohet nga Policia për mosmbajtje të maskës

Një qytetar i rajonit të Prizrenit sot është dënuar nga Policia e Kosovës për mosmbajtje të maskës me 35 euro gjobë, ani pse ai ishte i vetëm në kamion dhe në lëvizje.

Rastin e ka raportuar në KALLXO.com vetë qytetari i cili është nga Krusha e Madhe por që ishte në Dragash duke punuar me kamionin e kompanisë.

“Isha me kamion të firmës, sa dola në rrugë më ndalën policia. Unë e pata maskën vetëm kështu te mjekra, jo të vendosur komplet dhe isha i vetëm në kamion. I thash për çfarë arsye më ndalët, më tha për mosmbajtje të maskës”, ka thënë ai.

Ai deklaroi se nuk kishte informata se do të gjobitej nëse është në lëvizje dhe në kamion ndërsa thotë se edhe policët kur e dënuan nuk e dinin se si është e rregulluar me ligj kjo çështje.

“Unë u thash që nuk e kam ditë që edhe kur je i vetëm në kamion gjobitesh. Polici më tha që as unë vetë nuk e di sepse që katër ditë është marrë vendimi, po e kemi urdhër me dënu për mosmbajtje të maskës”, ka thënë ai.

Reklama