Hoti: Qeveri e paaftë, po i mban 210 milionë euro pa asnjë nevojë

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka akuzuar Qeverinë aktuale, të udhëhequr nga Albin Kurti, se po mban mbi 200 milionë euro pa nevojë.

Në një shkrim në Facebook ai ka thënë se deri më 30 qershor, bilanci bankar i Qeverisë ka arritur në gati 600 milionë euro, afër 7 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto.

“Kjo është shumë përtej kufirit të bilancit bankar të nevojshëm që duhet të ketë Qeveria për të qenë mjaftueshëm likuide, që është rreth 4.5% e PBB-së apo rreth 390 milionë euro. Ky nivel kaq i lartë i bilancit bankar nënkupton se Qeveria po mban rreth 210 milionë euro pa asnjë nevojë, të cilat mjete po devalvohen edhe nga inflacioni i lartë. Sikur këto mjete të qarkullonin në ekonomi, ato do të multiplikoheshin dy deri në tre herë, duke rritur kështu kërkesën agregate dhe rrjedhimit të ardhurat, konsumin dhe punësimin”, ka shkruar Hoti.

Sipas tij, “në një situatë inflacioni tepër të lartë, dhe me afër 600 milionë euro para të gatshme në llogari, është e papranueshme pse Qeveria nuk i indekson pensionet, skemat sociale, pagat dhe subvencionet në bujqësi sipas normës së inflacionit”.

Ai ka kritikuar Qeverinë edhe për moslargim të akcizës në derivate.

“Përse duhet Qeveria të mbajë 600 milion euro në llogarinë e saj bankare?! Pres që ekonomistët e qeverisë të shpjegojnë këtë për qytetarët. Kjo gjendje paraqet papërgjegjësi dhe paaftësi për të udhëhequr shtet – e kam fjalën për shtet me ekonomi të tregut. Ky nivel i bilancit bankar të Qeverisë përbën edhe abuzim me detyrën, pasi ligji i jep të drejtë Qeverisë të mbledh tatime, por duke ruajtur barazpeshën sociale dhe ekonomike”, ka përfunduar reagimin e tij deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës.