Homazhe e nderime nga Latifi e bashkëpunëtorët e tij, kudo ku u flijuan dëshmorët

Kryetari Smajl Latifi me kabinetin e tij ka bërë homazhe nëpër shumë vende në Rahovec, me rastin e 12-vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Latifi ka njoftuar se homazhe janë bërë në të gjitha vendet ku kanë rënë dëshmorët.

“Sot në 12-vjetorin të shpalljes së Pavarësisë së shtetit tonë të pavarur e sovran, me bashkëpunëtorë, invalidë e veteranë, me qytetarë të venbanimeve të komunës së Rahovecit, bëmë homazhe në të gjitha vendrëniet e dëshmorëve. Në këtë ditë nderuam e përkujtuam me përkushtim të lartë gjakun dhe veprën atdhetare të të rënëve, duke mbajtur edhe një Seancë Solemne të Kuvendit Komunal, mbajtëm një akademi përkujtimore në Rahovec, poashtu, vizituam Shtëpinë Muze të Ukshin Hotit dhe nderuam veprën e pavdekshme të profesorit”, ka shkruar Latifi.

Latifi ka thënë se është bërë mund e sakrificë e madhe për ditët që gëzojmë sot.

“Ka qenë rrugë e gjatë dhe jo e lehtë, kanë qenë dekada plot me dhimbje, humbje njerëzish, burgosje, keqtrajtime…Ka qenë luftë e pêrgjakshme deri te Liria, vite plot sakrifica e vetmohime deri te pavarësia e shtetformimi. Secilit nga ne ato vite robërie i kanë kushtuar shumë, kujt më pak e kujt e më shumë, secili nga ne e ka jetuar e mbijetuar luftën me të gjitha pasojat që mund t’ i ketë, humbje jetërash apo humbje materiale, por Liria e dha vulën e saj. Sot, kur shteti ynë ka sovranitetin dhe mëvetësinë, secili nga ne duhet të marrë forcë e të mundohemi bashkërisht që ta mbajmë këtë shtet fort, e ta ruajmë se na ka kushtuar shtrenjtë e është larë me gjak dëshmorësh e viktimash të cilët e trasuan rrugēn e Lirisë dhe Pavarësisë. Nga e kaluara e jonë historike, pa dyshim, spikat ngjarja më e re, e cila me të drejtë mban vulën më domethënëse të shumë përpjekjeve dhe sfidave të imponuara nga kërkesat e ligjshme që një popull synon, arritjen e objektivave kryesore të lirisë e mbrojtësit të këtyre vlerave përmes shtetit”, ka shkruar tutje Latifi.

Në fund ai ka uruar të gjithë për 17 Shkurtin, duke i dhënë nderimin e veçantë heronjve, dëshmorëve e martirëve të luftës.

“Gëzuar kjo ditë e madhe!Ta kemi përjetë shtetin tonë të dashur! Lavdi heronjve, dëshmorëve, martirëve dhe të gjithë atyre që u përjetësuan për një ideal dhe qëllim të vetëm e u bëftë dritë gjaku i derdhur për Liri dhe Pavarësi! U jetësoftë akoma më shumë amaneti i të rënëve për liri! Urime dhe Gëzuar përgjithmonë Pavarësia, Kosovë!”, ka shkruar në fund Latifi.

Reklama