Haradinaj takoi edhe kryetarin e Bundestagut të Gjermanisë Wolfgang Schäuble

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se në konferencën “Takimet Ndërkombëtare”, ka takuar kryetarin e Bundestagut, Wolfgang Schäuble.

Siç ka shkruar Haradinaj në Facebook, e ka falënderuar kryetarin e Bundestagut për gjithçka që Parlamenti gjerman dhe ai personalisht kanë bërë për Kosovën.

“Në Konferencën ‘Takimet Ndërkombëtare’, pata kënaqësinë ta takoj kryetarin e Bundestagut, Wolfgang Schäuble, të cilin e falënderova për gjithçka që Parlamenti gjerman dhe ai personalisht kanë bërë për Kosovën”.

“Ndjenjë e mirë që Kosova është pjesë e pandashme e këtyre takimeve që promovojnë paqen dhe mirëbesimin ndërmjet njerëzve dhe kombeve! Faleminderit Gjermani!”, ka shkruar Haradinaj.

Ndryshe, kryeministri Haradinaj, më herët duke folur për takimin me Merkel është shprehur se pozicioni i Kosovës është shumë më i lartë.

Haradinaj ka thënë se Kosova është e përkushtuar për vazhdimin e dialogut, ndërkohë ka treguar se me Merkelin ka diskutuar për temën e taksës.

Ai ka thënë se nuk i është kërkuar heqja e taksës dhe se ai vendim do të mbetet në fuqi.

Reklama