Haradinaj shpalos telefonatën me Hotin: Serbia s’duhet të jetë palë për Ujmanin, largohemi nga Qeveria

Kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj ka thënë se partia në të cilën ai udhëheq beson në marrëveshje të ndërmjetësuar nga SHBA’të. Megjithatë, ai shton se nuk pajtohet me marrëveshjen për Liqenin e Ujmanit, raporton Gazeta Express.

Ai thotë se kanë punuar shumë për marrëveshje që do të përfundonte me njohje reciproke.

Mirëpo, ai shton se situatën në dialog e ka vështirësuar pika që flet për Liqenin e Ujmanit.

“Fatkeqësisht situatën në dialog e vështirësoi njëra nga pikat e draft-marrëveshjes që flet për Ujmanin. Ne nuk e vlerësojmë që Serbia duhet të jetë palë për të ardhmen e Ujmanit. Jemi të hapur për Departamentin e Energjisë së Amerikës, por jo për një marrëveshje trepalëshe ku përfshihet edhe Serbia. Implikimet që mund të sjellë në të ardhmen, mund të jenë të pa përballueshme për Kosovën”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se ka biseduar me kryeministrin Avdullah Hoti për ta hequr këtë pikë por shton se nuk ka hasur në mirëkuptim nga ana e tij. Rrjedhimisht, AAK’ja nuk e përkrah marrëveshjen që do të nënshkruhet sot.

“Përkundër faktit që kam biseduar me kryeministrin Hoti për ta hequr këtë pikë, nuk kemi hasur në mirëkuptim nga ai dhe jemi të detyruar të mos e përkrahim këtë marrëveshje.

AAK-ja nuk është e gatshme për bashkëpunim as në qeverisje e as në çfarëdo forme, sepse ne nuk do të ndihmojmë një marrëveshje, ku Serbia qoftë edhe indirekt bëhet palë në resurset e Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

Reklama