Haradinaj s’e pret Ramën, thotë se ka agjendë tjetër

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, po qëndron edhe sot në Kosovë ku po vazhdon takimet me liderët politikë.

Edhe pse në agjendën e tij, ishte paralajmëruar edhe takimi me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, kjo gjë nuk ndodhi. Siç mëson Klan Kosova, arsyetimi për mosmbajtjen e këtij takimi, është se Haradinaj ka një agjendë të caktuar më parë diku tjetër.

Megjithatë Haradinaj dje bëri të ditur se nuk do të takohet me siç e ka quajtur ai “paditësin”, njofton Klan Kosova.

Kjo për shkak të një përplasjeje të mëhershme, rreth idesë së shkëmbimit të territoreve që përfundoi me një padi të kryeministrit të Shqipërisë në Gjykatën Themelore të Prishtinës ndaj Haradinajt për shpifje.

Ndryshe në fund të vizitës së tij në Kosovë, Rama pritet të mbajë edhe një konferencë për media.

Vizita e kryeministrit Rama në Kosovë vjen pasi Gjykata Speciale publikoi propozim-aktakuzën ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së Kadri Veseli për kinse krime lufte.