Haradinaj: Po të ishte Amerika tashmë do të ishim në prag të marrëveshjes përfundimtare

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka quajtur “takim koti” takimin e zhvilluar sot në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Haradinaj tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të përfshihen në dialogun Kosovë-Serbi dhe se ky proces të mos i lihet në dorë Bashkimit Evropian.

Ai tha se në këtë proces secila palë ka vetëm një interes që ta mashtrojë popullin e vet në prag të zgjedhjeve.

“Edhe një takim koti i dialogut Kosovë-Serbi. Secila palë ka veç një interes, që me retorika populiste ta mashtrojë popullin e vet në prag të zgjedhjeve! Kryeministri i Kosovës ka vendosur që të mos bëjë asgjë në këtë proces. Ai nuk po don me e kuptu se pa përfshirjen e SHBA, dialogu është i vdekur. Ai nuk po don me e kuptu se me Borelin e Lajçakun është në qorrsokak”.

“Sa më larg të shtyhet përfshirja e një emisari amerikan në dialog, dëmi do të jetë më i madh, edhe për Kosovën edhe për Kryeministrin! Po të ishte Amerika në dialog, tashmë do të ishim në prag të marrëveshjes përfundimtare! A ka njeri që mund t’ia shpjegojë këtë Albin Kurtit!?”.

Reklama