Haradinaj për shtyrjen e Samitit të Parisit: Në sherr del hajri, e në hajr sherri

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në një konferencë për media ka folur rreth shtyrjes se Samiti të Parisit, i cili ishte paraparë që të mbahet me 1 korrik.

“Në sherr del hajri, e në hajr del sherri, unë mendoj se është mirë se po qartësohet se çfarë ka mbetur pa u zgjidhur. Takimi i Berlinit, ballafaqimi i delegacioneve të dialogut teknik e ka konfirmuar se e vetmja gjë e cila ka mbetur pa u zgjidhur është njohja reciproke në kufijtë ekzistues, atëherë ne ulemi për dialog, deri atëherë edhe mund të ketë pritje”, ka thënë Haradinaj.

Kryeministri ka theksuar se është hajr që është sqaruar se ka mbetur vetëm njohja reciproke për tu arritur mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa është sherr që shteti serb ende nuk po ulët të bisedojë për njohje.

Tutje Haradinaj, ka folur edhe për takimin e mbrëmshëm të përfaqësueseve të Qeverisë së Kosovës dhe atyre të Serbisë në Berlin.

“Takimi ishte formal i rregullt, dy delegacionet e dialogut formal janë takuar aty kanë qenë edhe përfaqësuesit nga zyrja e kancerales gjermane, unë i kam informuar për këtë takim partnerët e koalicionit. Serbia akuzon se Kosova nuk i ka zbatuar marrëveshjet që burojnë nga viti 2013, ndërsa ne kemi versionin tonë se sa janë zbatuar ato marrëveshje”.

Haradinaj pohoi se nuk e din pse ka ndodhur shtyrja e Samitit të Parisit, teksa ka shtuar se Kosova është palë serioze dhe se e dinë se çfarë dëshiron.

Reklama