Haradinaj: Nëse Serbia vazhdon ndalimin e zyrtarëve të Qeverisë, do t’i kundërpërgjigjemi njëjtë

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, thotë se Qeveria e Kosovës i ka qëndrimet e saj dhe se nuk ka ndonjë ndryshim të këtyre qëndrimeve, sa i përket samitit që do të mbahet në Berlin.

“Samiti i Berlinit është një takim multilateral, mendoj që qëndrimet që i ka mbajtur qeveria e Kosovës në vazhdimësi janë të Kosovës. Kam shpresë po ashtu se nuk do të kemi shpërputhje por nuk ka ndonjë ndryshim në ato qëndrime. Do të kemi kohë të bisedojmë dhe të harmonizohemi, por nuk kam qëndrime të tjera”, tha ai, transmeton ksp.

I pyetur për deklaratën e ambasadorit amerikan në Kosovë Philip Kosnett, i cili porositi qytetarët që të ngrisin zërin ndaj zyrtarëve që pasurohen në kurriz të buxhetit të shtetit, Haradinaj i konsideron pozitive këshillat e ambasadorit.

Megjithatë, ai thotë se protesta në rrugë nuk është zgjidhje, ndërsa e quan presion protestën e thirrur nga Vetëvendosje para Prokurorisë së Shtetit.

“Qëndrimet e ambasadorit të Amerikës që Kosova të ballafaqohet me të metat e saj, janë ndihmesë për Kosovën, shkojnë në drejtim të një shoqërie me aktive dhe besoj që është në rregull. Nëse i flet qytetarëve protestë nuk është vetëm dalja në rrugë. Ekziston rreziku kur një parti politike proteston kundër kryeprokurorit, është ndërhyrje në sistemin gjyqësor. Unë i kam bërë thirrje LVV-së që janë parti dhe t’i shterojnë krejt instrumentet tjera, para se të dalin në protestë ka mënyra të tjera, diskutime. Protesta para prokurorisë është presion ndaj prokurorisë. Nuk e shoh si ndihmesë. Sovraniteti i gjyqësorit ka filluar vetëm para 10 muajve, kur ka përfunduar mandati i EULEX-it, vetëm 10 muaj janë të Kosovës, vetëm 10 muaj ka Kosova”, tha kryeministri.

Haradinaj është pyetur edhe për masat që do të ndërmarrë shteti i Kosovës ndaj ndalimit të zyrtarëve të Qeverisë nga komuniteti serb të cilët po ndalohen nga Policia serbe.

Tha se nëse vazhdojnë me këtë praktikë, ‘ Edhe në dimë t’i ndalim’

“Sa i përket masave që do të ndërmerren nëse vazhdon që Serbia të ndal zyrtarët e Kosovës,nuk do të heshtim karshi këtyre veprimeve. Për masat, nuk po paragjykoj çfarë masa, por nuk mund të heshtim kur zyrtarët tanë keqtrajtohen. Nëse vazhdojnë me këtë praktikë edhe ne dimë t’i ndalim”, tha ai.

Reklama