Haradinaj merr edhe Drenicën, Naim Bazaj me 300 veta kalojnë në AAK

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, e ka rritur numrin e anëtarëve të partisë së tij në Drenicë, zonë kjo që tradicionalisht llogaritej bastion i PDK-së.

Madje, siç ka njoftuar, ai në parti ka sjellur Naim Bazajn dhe 300 persona të tjerë, të cilët deri tash ishin pjesë e PDK-së.

Ka qenë vetë Haradinaj që ka njoftuar për këto aderime, duke i thurur elozhe Drenicës dhe familjes së Naim Bazajt.

“Mikpritje shqiptare, në konakun e familjes patriotike Bazaj të Drenicës. Bujaria dhe atdhedashuria, që e shquajnë tërë Drenicën, janë tipare edhe të Naimit, një nga komandantët e dalluar të ushtrisë sonë çlirimtare, i cili rrugëtimin politik ka vendosur ta vazhdojë me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, së bashku me qindra bashkëveprimtarë të tij, profesionistë të profileve të ndryshme. Falemnderit për mikpritjen dhe besimin në vizionin e Aleancës për shtetin dhe atdheun. Të vërtetë në luftë, ashtu edhe në paqe. Dalshim faqebardhë!”, ka shkruar Haradinaj.

Kohë më parë, Haradinaj nisi aderimet edhe në Malishevë, bastion ky i NISMA-s. Këto “peshkime” kishin ngjallur pakënaqësi në koalicion.

Sidoqoftë, (para)fushata tashmë shihet që ka nisur dhe partitë po bëjnë çmos që të përgatiten për zgjedhjet eventuale që pritet të organizohen pas dorëheqjes së Haradinajt.

Ndryshe, çështja e zgjedhjeve është akoma në udhëkryq, meqë nevojitet shpërbërja e Kuvendit. Presidenti Hashim Thaçi, në anën tjetër ka nisur konsultimet me disa parti të vogla nga komunitetet, e po ashtu është takuar me kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka.

Reklama