Haradinaj: Mbajtja e bllokuar e Kosovës do ta prodhojë bashkimin Kosovë-Shqipëri

Kandidati për president nga AAK-ja, Ramush Haradinaj, ka treguar se ai e kërkon këtë post duke pasë disa qëllime për vendin dhe qytetarët.

“Ne i kemi argumentet që ta kërkojmë votën më 14 shkurt për AAK-në. Kemi një program serioz ekonomik. Kemi listë serioze me njerëz të zotë dhe po ashtu kemi disa garanca të tjera të punëve që i kemi kryer dikur. Unë kësaj herë nuk synoj përgjegjësinë e kryetarit të Qeverisë. Dy herë e kam udhëhequr vendin dhe kam punuar në presione të mëdha dhe i sfiduar, por kur kam vlerësuar kam dhënë dorëheqje dhe e kemi ruajtur vendin”.

“Kësaj here synoj me udhëheq vendin përmes përgjegjësisë së presidentit dhe i kam disa qëllime për vendin dhe qytetarët. E para është që të ruajmë sovranitetin, Kushtetutën dhe territorin. E dyta është që ta forcojmë sigurinë dhe të fuqizohemi në planin e brendshëm, por edhe përballë Serbisë. Njëkohësisht ta ndihmojmë qeverinë në përballjen me krejt sfidat e brendshme, por edhe në anëtarësimin e plotë në OKB, NATO dhe përparimin në integrimin në BE”.

Ai nga Mitrovica, ku ka qëndruar në ditën e dytë të fushatës zgjedhore, ka thënë se mbajtja e Kosovës e bllokuar dhe e paintegruar do ta prodhojë bashkimin Kosovë-Shqipëri në një union.

“Nëse vijmë në vitin 2024 dhe e shohim se Kosova është ende e bllokuar nga një bllokadë që e bën Serbia dhe presidenti Aleksandar Vuçiq. Nëse e shohim që nuk jemi në dyert e NATO-s, nuk jemi anëtarë të OKB-së dhe nuk po i afrohemi BE-së, atëherë çka më tutje? Është gabim teoria e Serbisë dhe presidentit [Aleksandar] Vuçiq që duke e mbajtur Kosovën e bllokuar dhe shqiptarët dhe serbët të hidhëruar dhe të ndarë do të lodhet Kosova një ditë dhe do të bëjë kompromise. Nuk ka ndodhur deri sot dhe nuk ndodh kështu. Mbajtja e bllokuar e Kosovës, si dhe duke e mbajtur të paintegruar dhe të pazhvilluar ekonomikisht, do ta prodhojë një rezultat tjetër që është bashkimi Kosovë -Shqipëri në një union”.

“Ne e kemi formulën që të anëtarësohemi në NATO dhe kjo formulë nuk varet nga Serbia. Serbia është mirë ta vlerësojë se a është momenti i duhur që ta njohë Kosovën, por duhet ta di që edhe nëse nuk e njeh Kosovën, ne do ta arrijmë të jemi anëtarë të OKB-së dhe NATO-s”.

Haradinaj ka sqaruar se si kanë planifikuar që ta krijojnë Fondin për Rimëkëmbje Ekonomike prej 1 miliardë eurosh të cilin e kanë pjesë të programit qeverisës, njofton Klan Kosova.

“Gjithë bota është në një krizë ekonomike. Krizë ekonomike nuk ka veç për shqiptarët në jug të Mitrovicës, por ka edhe për serbët në veri. Krizë ekonomike ka edhe për Serbinë edhe për gjithë Ballkanin. Ne do ta japim kontributin tonë për ta tejkaluar krizën në Kosovë. Si do ta tejkalojmë këtë krizë? Dëshirojmë me fut pare të re në treg. Fondi 1 miliardësh është kalkuluar se si të mbushet. 100 milionë euro do të vijnë nga Fondi i Privatizimit pronare e të cilit është Qeveria dhe 100 milionë euro të tjera nga Fondi për Garantim të Kredive. I kemi paraparë që t’i marrim 200 milionë euro nga rialokimi i buxhetit, derisa 600 milionë euro kemi planifikuar që t’i marrim hua. 200 milionë eurot e buxhetit tonë nuk janë pare e re, sepse kanë pasë me hy në ekonomi gjithsesi, por vetëm ua ndërrojmë destinimin. 200 milionë euro janë pare e re, por që vijnë nga Kosova. 600 milionë euro i marrim kredi që e rrit borxhin publik, por borxhi publik i Kosovës është i vogël. Këto pare dëshirojmë që t’i lëshojmë në treg dhe të arrijnë te të gjithë qytetarët e vendit”.

“Kemi paraparë të mobilizojmë resurset tona, kapitalin e fjetur përmes tregut të kapitalit përmes bursës shqiptare. Është reale, mund të krijohet një kohë optimale dhe t’i kthehet ekonomisë. Pse i bëjmë të gjitha këto? Nuk mendojmë se rritja e taksave është e mençur si ide. Nëse vetëm pak e rëndojmë sipërmarrësin tonë me taksa të reja vetëm sa e rëndojmë gjendjen ekonomike më shumë. Nuk lejohet rritja e taksave në kohë të krizës ekonomike asesi, por duhet infuzion në mënyrë që të zhvillohet ekonomia. Ne jemi në vendin që ka burimin e zhvillimit ekonomik. Kemi Trepçën, minierat, ujin dhe Shalën që është perlë e turizmit malor. Të gjitha këto resurse të Kosovës kanë qenë të bllokuara, por po vjen koha me e pa dritën”.

Reklama