Haradinaj: Kjo është Qeveria më e keqe që ka pasur Kosova

Kryetari dhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Qeveria Kurti është qeveria më e keqe që ka pasur ndonjëherë Kosova.

Ai deklaroi se kjo qeveri e ka fituar mosbesimin e SHBA-së dhe se e ka dorëzuar veten “në duart e disa zyrtarëve evropianë për çështje jetike të Kosovës”.

“Së fundmi jemi në prag të festive të fundvitit, kjo Qeveri diasporën po e dënon në mënyrën më të keqe me pritje me orë të tëra në kufi. Po e mban në fuqi orën policore. E lus ministrin e Shëndetësisë t’i tregojë kryeministrit të vet që nuk ka vend në botë që ka orë policore apo ndalim të qarkullimit. Pse prej mesnate në orën 5 si ndalohet në këtë mënyrë pandemia”, shtoi Haradinaj.

“Një Qeveri që nuk ka ditur të udhëheqë në çështjen e sigurisë. Një Qeveri që progresin pas dy dekadave në veri të Kosovës ka arritur ta zbehë skajshëm. Po ashtu një Qeveri që ka qenë vetëshkatërruese sa i përket energjisë në Kosovë, që ka penguar në çdo mënyrë investimet në energji. Së fundmi, ajo që është mjaft e ndjeshme jemi në prag të festave të fundvitit dhe bashkimit familjar kjo qeveri që diasporën, e cila i ka ndihmuar për të ardhur në pushtet po e dënon në mënyrën më të keqe, me pritjen me orë të tëra në kufi, por jo vetëm kaq. Kjo qeveri po e mban në fuqi orën policore, duke ua vështirësuar qëndrimin atyre. E lus ministrin e Shëndetësisë që ka ardhur nga Amerika, t’i tregojë kryeministrit të tij që ora policore në asnjë vend në botë nuk është vënë si ndalesë për shkak të pandemisë. Cili vend tjetër në botë ka ndalim qarkullimi? Si ndihmohet luftimi i pandemisë me ndalim qarkullimi”, tha ish-kryeministri Haradinaj.