Hapet Konkursi Ndërkombëtar për Dizajnimin e Sheshit Qendror, ftohen studiot e arkitekturët që të konkurrojnë

Sot është shpallur Konkursi Ndërkombëtar për Dizajnimin e Sheshit Qendror të Rahovecit, për të mbetur i hapur deri më 16 nëntor.

Drejtori i Urbanizmit, Planifikimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Rumir Zhuniqi, ka thënë se shpallja e konkursit është prej hapave më të rëndësishëmd drejt realizimit të këtij projekti.

“Sot shpallëm Konkursin Ndërkombëtar për Diazjnimin e Sheshit Qendror të Rahovecit për të mbetur i hapur deri më 16 nëntor të këtij viti.  Shpallja e këtij konkursi është një prej hapave më të rëndësishëm që edhe qyteti ynë ta ketë një hapësirë publike ku mund të zhvillohet më lehtë jeta rekreative e kulturore. Drejtoria për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, si dhe Komuna e Rahovecit në përgjithësi nën udhëheqjen e kryetarit Smajl Latifi, me mbështetjen teknike të UN-Habitat, vendosmërisht ka ndjekur një proces të gjatë, por transparent. Juria me pesë anëtarët ndërkombëtarë e vendorë, ka aftësinë̈ e nevojshme profesionale që të përcaktoj se cili dizajn është më i miri, që i përgjigjet kërkesave dhe nevojave të qytetarëve të Rahovecit, të cilët janë pyetur e konsultuar gjatë fazave të mëhershme të procesit”, ka shkruar Zhuniqi.

Duke i ftuar arkitektët dhe studiot e arkitekturës që të konkurrojnë në këtë konkurs, Zhuniqi ka thënë se dizajnimi i sheshit qendror është mundësi për mirë për ta që ta prezantojnë punën e tyre.

“Dizajnimi i Sheshit Qendror të Rahovecit është një mundësi e mirë për arkitektët, studiot e arkitekturës dhe dizajnit urban që të bëhen pjesë e një projekti kaq serioz që u garanton vëmendje e prezencë publike, prandaj i ftoj që të konkurrojnë nëse besojnë që mund ta ofrojnë një dizajn të veçantë për sheshin e qytetit tonë. I falënderoj të gjithë për bashkëpunimin deri në këtë fazë. Me vendosmëri dhe insistim Komuna jonë do të vazhdojë që këtij projekti t’i rrijë prapa deri në realizimin e tij!”, ka shkruar ai.

Në këtë link gjeni dosjen e konkursit me të gjitha informatat e nevojshme të lokacionit: http://centralsquare-rahovec.info/

Reklama