Hapet fushata e AAK-së, Latifi: Sot ndjehem më mirë se në vitin 2017

Kryetari i Rahovecit dhe kandidati për kryetar edhe për një mandat, Smajl Latifi, ka hapur fushatën zgjedhore sot, ku prezent ka qenë edhe kryetari i AAK-së dhe eksponentë të tjerë të partisë.

Latifi ka thënë se ndjehet mirë, madje edhe më mirë se kur ka kandiduar në vitin 2017. Ai ka thënë se arsye janë sukseset e arritura të qeverisjes së tij.

Latifi duke numëruar të arriturat e katërvjeçarit që shkoi, ka numëruar edhe synimet për katërvjeçarin që po vjen, që janë pjesë e programit të tij qeveriës.

Ai ka shkruar:

Fjalimi nga tubimi i sotshëm hapës në Rahovec:

Të nderuar të pranishëm,

Zakonisht, kur politikanët kërkojnë besimin e qytetarëve për mandatin e dytë ose të tretë, ndjehen më të dobët, sepse mund ta kenë bërë ndonjë gabim gjatë qeverisjes, mund të kenë bërë ndonjë lëshim në punë, mund të mos e kenë përmbushur ndonjë premtim, e gjëra të ngjashme.

Por, ky nuk është rasti me mua. Unë ndjehem edhe më mirë se në vitin 2017, kur kandidova për kryetar të Rahovecit në zgjedhjet lokale të atij viti. Jo pse nuk kemi bërë gabime e lëshime të paqëllimshme, por sepse sukseset tona janë pakrahasimisht më të mëdha se gabimet e lëshimet eventuale.

Ndjehem mirë sepse Rahoveci sot është komuna e parë në Kosovë për realizimin e premtimeve zgjedhore. Kjo është e vërtetë, jo sepse e them vetëm unë, por sepse e thotë edhe instituti kredibil që mat qeverisjet lokale gjithandej Kosovës, pra Instituti GAP. Instituti ka thënë se qeverisja jonë ka arritur t’i përmbushë 88% të premtimeve, ndërkohë që janë në proces të përmbushjes edhe tri premtimet e fundit.

Ndjehem mirë sepse Rahovecit sot është komuna më transparente në Kosovë. Pra, kjo është e vërtetë jo sepse e them vetëm unë, por sepse e thotë edhe Instituti Demokratik i Kosovës, një organizatë tjetër me besueshmëri të lartë që monitoron transparencën e qeverisjeve komunale në të gjithë Kosovën. Ky institut ka thënë që qeverisja jonë ka përmbushur 41 nga 44 indikatorët e transparometrit.

Ndjehem mirë sepse gjatë mandatit tim, për herë të parë, kemi arritur që të kemi një buxhet prej 1 milion eurosh për bujqësinë. Bujqit tanë kanë marrë mbështetje konkrete që nga viti 2017, duke përfituar mekanizëm bujqësor e serra për mbjelljen e kulturave të ndryshme bujqësore. Kemi qenë pranë bujqve gjithmonë kur ata janë goditur nga fatkeqësitë natyrore apo kriza ekonomiko-shëndetësore si pasojë e Covid-19.

Ndjehem mirë sepse është përfunduar edhe ndërtimi i palestrës sportive “Mizahir Isma”. Me funksionalizimin e plotë të kësaj palestre, ka ndryshuar jeta sportive në komunën tonë. Të rinjtë, tani e kanë një vend më shumë ku mund të shprehin dhe të zhvillojnë talentet e tyre në sport.

Janë nisur e kryer shumë punë, por tani koha është për punë të reja.

Do ta kemi sërish prioritet bujqësinë, pasuar nga ekonomia, agroturizmi dhe punësimi. Do të punojmë për administratë bashkëkohore, me shërbime të shpejta dhe cilësore, si dhe do të përkujdesemi që Arsimi, Shëndetësia dhe përkujdesja sociale të jenë ndër prioritet tona.

Ne, në katërvjeçarin e ardhshëm qeverisës, nuk do t’i harrojmë assesi vreshtarët, për të cilët do të vazhdojë mbështetja, duke i kontribuar rritjes së sipërfaqes dhe plantacioneve. Një premtim i yni është ndërtimi i qendrës magazinuese, me kushte adekuate, për ruajtjen e rrushit në kohë kur ka mungesë tregu.

Do të bëjmë gjithë çfarë mundemi që Rahovecin ta shpallim Zonë të Veçantë Bujqësore, ashtu siç edhe është në të vërtetë.

Agroturizmi është mundësia e re që bujqit ta ridimensionojnë aktivitetin e tyre biznesor. Bukuritë e Rahovecit, por edhe bujqësia e zhvilluar, e bëjnë Rahovecin destinacion të preferuar për turistë nga Kosova, por edhe nga bota. Gjatë mandatit të ri, do ta kemi planin e konkretizuar për ta zhvilluar këtë sektor, që mund të jetë fitimprurës për komunën dhe qytetarët.

Do të vazhdojmë me rregullimin e rrugëve fushore, që bujqve t’u krijohet qasje më e lehtë në arat dhe fushat e tyre bujqësore.

Po ashtu, do të vazhdojmë me përkujdesjen për ambientin, duke rikultivuar deponitë e pastruara, pyllëzuar hapësirat e përshtatshme dhe duke ndërtuar parqe të reja nëpër lagjet dhe fshatrat e komunës sonë.

Kultura, rinia dhe sporti kanë zënë e do të zënë vned edhe më shumë në qeverisjen 4-vjeçare. Trashëgimia kulturore, historike, vlerat e lirisë e të sakrificës, do të kenë respektin, kujdesin, e mirëmbajtjen dhe angazhimin tonë të përhershëm.

Planifikimi urban, mjedisi dhe infrastruktura publike, do të kenë vëmendjen dhe angazhimin tonë të veçantë.

Angazhimi me donatorë e partnerë janë detyrë e jona, që të kemi shumë më shumë investime zhvillimore.

Grupet e interesit, OJQ-të, qytetarët me nevoja të veçanta, ashtu sikurse edhe përkrahje direkt për iniciativa të ndryshme të të rinjve, bizneset fillestare, të vogla e të mesme.

Shërbime shëndetësore falas e barna esenciale edhe nga komuna.

Pra, kemi zotimet tona, qëllimet, synimet dhe prioritetet tona në 4-vjeçarin e ardhshëm, si edhe listën me top prioritetet.

Të gjitha këto dhe më shumë i gjeni në programin tonë qeverisës.

Tashmë e dini nga përvoja, se programi ynë nuk është vetëm premtim elektoral, por edhe analizë konkrete e nevojave të qytetarëve, i cili pastaj shndërrohet në projekte të shumta anekënd komunës.

Ju lus të na mbështetni sa më shumë, ta fitojmë betejën për besim qysh me 17 tetor, të kemi fuqinë vendimmarrëse, por edhe legjitimitetin tuaj për përmbushjen e programit që do ta zhvillojë edhe më shumë komunën tonë!

 

Reklama