Hapet ”Andrinia Jehon”, Latifi: Ky festival më nuk është vetëm i fshatit Dejnë, por i gjithë kombit

Dje është hapur festivali i përvitshëm në komunën e Rahovecit, ”Anadrinia Jehon”.

Prezent në hapje ka qenë edhe kryetari i komunës Smajl Latifi, ku ka mbajtur një fjalim, të cilin më vonë e ka publikuar në rrjete sociale.

Latifi ka thënë se festivali tashmë ka ndërtuar profilin e vet, duke u bërë pjesë e festave zyrtare në Komunën e Rahovecit, si dhe duke marrë karakter mbarëkombëtar.

Fjalimi i plotë i Latifi:

Të nderuar dashamirës të artit dhe të kulturës popullore, artistë e artiste, të dashur miq, po mblidhemi në këtë fushë të hapur në fshatin Dejnë për të tetëmbëdhjetin vit me radhë.

Jemi në këtë luginë të bukur të shqiptarisë, ku më 12 maj të vitit 1998 jehuan krismat e pushkëve të lirisë dhe ku pas ardhjes së Ditës së Madhe këtu filloi të jehojë kënga e vallja popullore. Ne jemi krenarë që arritëm të mbledhim grupe dhe artistë nga mbarë trojet shqiptare, me qëllim të ruajtjes dhe kultivimit të traditës tonë kombëtare, duke ju përmbajtur traditës tonë se kënga i ka përcjellë luftëtarët në beteja dhe i ka pritur heronjtë që ktheheshin nga lufta, po ashtu,me këngë e valle.

Gjatë këtyre viteve kemi bërë shumë punë që ky Festival të mbajë të gjallë frymën popullore, duke pritur e nderuar të artistë nga krahina e rajone të ndryshme shqiptare. Konsiderojmë se në këtë mënyrë i kemi dhënë një mbështetje të fortë ruajtjes së vlerave më të mira të kombit tonë.

Festivali “Anadrinia jehon” tashmë ka krijuar profilin e vet dhe është futur në agjendën e festave të komunës së Rahovecit. Pjesëmarrja e artistëve nga shumë vise të shqiptarisë dhe nga mërgata, përbën thelbin e suksesit të kësaj riviste kombëtare. Në këtë skenë kanë defiluar shumë artdashës dhe dashamirësia me të cilën janë pritur nga publiku i kësaj ane, na ka detyruar të jemi më të përkushtuar në mbarëvajtjen e këtij festivali. Besojmë dhe shpresojmë që mbështetja institucionale do të shtohet, sepse tashmë ky Festival nuk është vetëm i fshatit Dejnë dhe vetëm i komunës së Rahovecit, ky është Festival mbarëkombëtar.

Prandaj, dëshirojmë që edhe një herë të falënderojmë banorët e fshatit Dejnë dhe të fshatrave përreth për mikpritjen e këtyre artsitëve, sepse edhe kjo është pjesë e kulturës tonë kombëtare.

Ju urojmë paraqitje profesionale dhe suksese pjesëmarrësve të këtij edicioni, duke shprehur bindjen se shikuesit e shumtë do të kënaqen me vlerat që do të shpalosen.

E shpall të hapur edicionin e 18 të festivalit të folklorit “Anadrinia jehon” 2019.

Urime dhe suksese pjesëmarrësve!

Reklama