Hajnat sulmojnë me eksploziv bankomatin e një banke në Veternik

Policia e Kosovës sot më mëngjes ka rrethuar Qendrën Tregtare në lagjen Veternik në Prishtinë, pasi që hajnat e kanë sulmuar me eksploziv bankomatin e një banke duke tentuar t’i vjedhin paratë.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Sot rreth orës 05:30, është aktivizuar një alarm i një banke në një qendër tregtare në lagjen Veternik në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni strukturat rajonale për hetimin e krimit me një intensitet të shtuar kanë filluar ndërmarrjen e një varg veprimesh operative dhe hetimore. Mbështetur në rezultatet e para të grupit hetimor që po zhvillon hetimet lidhur me rastin në fjalë, dyshohet se një rast vjedhje ka mbetur në tentativë, e njëjta është tentuar të realizohet duke dëmtuar një bankomat të një banke, me një mjet shpërthyes”, ka thënë Ahmeti.

Zëdhënësja e policisë së rajonit të Prishtinës, Flora Ahmeti ka thënë se derisa ekzaminimi po vazhdon në vendngjarje, hetuesit policor janë duke punuar në identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar.

Reklama