Goditje Rusisë, Finlanda pritet të aplikojë të dielën në NATO, Suedia të hënën

Presidenti finlandez Sauli Niinistö dhe kryeministrja Sanna Marin janë shprehur në favor të anëtarësimit të vendit të tyre në NATO.

Në një deklaratë të përbashkët të enjten, të dy liderët miratuan anëtarësimin në aleancën ushtarake perëndimore.

Pritet që vendi më verior në BE të vendosë të aplikojë zyrtarisht për anëtarësim në ditët në vijim, ndoshta të dielën. Ky hap do të ishte një pasojë e drejtpërdrejtë e pushtimit rus të Ukrainës dhe ndryshimit të situatës së sigurisë në Evropë.

Për Finlandën, e cila ka qenë e paangazhuar për një kohë të gjatë dhe ndan një kufi me Rusinë që është më shumë se 1300 kilometra i gjatë, një vendim i tillë do të ishte historik, shkruan Indeksonline.

Edhe në Suedinë fqinje, vendimi për t’u anëtarësuar në NATO është i pashmangshëm.

Sipas informacioneve të “Expressen”, qeveria suedeze do të dorëzojë kërkesën për anëtarësim të hënën.

Kryeministri britanik Boris Johnson kishte nënshkruar më parë një pakt ndihme ushtarake me Suedinë dhe Finlandën . Kjo garanton mbështetjen ushtarake midis vendeve në rast të një lufte agresioni.

Sipas një sondazhi të publikuar të hënën, 76 përqind e finlandezëve tani mbështesin anëtarësimin në NATO, krahasuar me 20 deri në 30 përqind në vitet e mëparshme.

Përpara se një vend të anëtarësohet në NATO, të 30 shtetet anëtarët aktuale duhet të bien dakord.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, kohët e fundit ka sinjalizuar disa herë se ka një mbështetje të gjerë për këtë brenda aleancës.

Finlanda dhe Suedia fqinje janë tashmë partnerë të ngushtë të NATO-s.

Rusia ka kërcënuar pak ditë më parë se nëse këto shtete aplikojnë për NATO, ata do të forcojnë forcat tokësore, detare dhe ajrore në Detin Baltik.