Gjykata Speciale arreston në Belgjikë një komandant të UÇK’së

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, i njohur në luftë me nofkën “Komandant Ujku”, është arrestuar sot në Belgjikë, në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga Gjykata Speciale me seli në Hagë.

Shala, i cili ishte duke jetuar në Belgjikë, akuzohet për krime lufte. Aktakuza kundër tij është konfirmuar nga gjykatësi i procedurës paraprake të Speciales. Ai po mbahet i ndaluar, në pritje të transferimit për në paraburgimin e Speciales në Hagë.

“Më 16 mars 2021, autoritetet e Belgjikës arrestuan Pjetër Shalën në zbatim të fletarrestimit dhe aktakuzës së konfirmuar për krime lufte, lëshuar nga Gjykatësi i Procedurës Paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës. Pjetër Shala do të mbahet i ndaluar në Belgjikë, në pritje të transferimit të tij në objektin e paraburgimit të DHSK-së në Hagë”, thuhet në komunikatën e Speciales.

Dhomat e Specializuara thonë se së shpejti do të publikohet aktakuza kundër tij.

“Së shpejti do të jepet më shumë informacion ku do të përfshihet edhe informacion për nxjerrjen publike të aktakuzës së konfirmuar me redaktimet e nevojshme. Në bazë të rregullës 88 të Rregullores së Procedurës dhe Provave, aktakuza bëhet publike jo më vonë se paraqitja e parë e të akuzuarit”, thuhet në komunikatë.

Në shkurt të vitit 2019, Shala kishte thënë se ishte intervistuar nga hetuesit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Pjetër Shala ka qenë i angazhuar në zonën e Dukagjinit si komandant në fshatin Dujakë.

Reklama