Gjermania e Franca bëjnë thirrje për formimin e shpejtë të Qeverisë së re të Kosovës

Gjermania dhe Franca kanë bërë thirrje për formim sa më të shpejtë të Qeverisë së re të Kosovës dhe zgjedhjen e presidentit, pasi të formalizohen rezultatet.

Në një postim në Twitter, nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde dhe nga Ambasada e Francës në Kosovës, thuhet se Gjermania e Franca janë të gatshme të përkrahin kontinuitetin e dialogut të ndihmuar nga BE-ja mes Kosovës e Serbisë në drejtim të integrimit evropian të dy vendeve. Dy vendet kanë uruar LVV-në, Albin Kurtin e Vjosa Osmanin për fitoren në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Gjermanie e Franca urojnë qytetarët e Kosovës, Albin Kurtin, Lëvizjen Vetëvendosje dhe Vjosa Osmanin për rezultatin e zgjedhjeve. Ne bëjmë thirrje në formimin e shpejt të Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit, pasi rezultatet të finalizohen. Gjermania dhe Franca me padurim presin ta përkrahin një agjendë ambicioze të reformave, përfshirë forcimin e rendit dhe ligjit, si dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Së bashku me Zyrën e BE-së në Kosovë do të vazhdojmë ta përkrahim Kosovën në menaxhimin e pandemisë COVID-19. Gjermania dhe Franca janë të gatshme për ta përkrahur kontinuitetin e dialogut të ndihmuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë në drejtim të integrimit evropian të dy vendeve”, është shkruar në postimin në Twitter të ambasadorit gjerman Rohde dhe të Ambasadës së Francës në Kosovë.

Reklama