Garancitë për mbrojtjen në liri të Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit, një avokat kosovar thotë se nuk parashihen me ligj

Dhoma e Apelit e Dhomave të Specializuar javën që shkoi vendosi për refuzimin e kërkesës së Hashim Thaçit dhe të tjerëve për lirim të përkohshëm. Megjithatë, në vendimin e saj, Gjykata Speciale e la të hapur mundësinë e mbrojtjes në liri në vende të treta të Thaçit dhe të tjerëve.

Hashim Thaçit, Rexhep Selimit, Kadri Veselit e Jakup Krasniqit u është refuzuar kërkesa për lirim të përkohëshëm nga Dhoma e Apelit të Specialës, shkruan Gazeta Online “Reporteri.net”.

Një vendim i njëjtë u nxor edhe ndaj ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafa e ish-krerëve të OVL të UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Në vendim refuzues, të akuzuarve Specialja u la një hapësirë për t’u mbrojtur në liri.

Sipas gjyqtarit, Kai Ambos, të akuzuarit mund të lirohen përkohësisht nëse këta të fundit marrin pëlqimin e një shtetit të tretë.

Avokati Artan Çerkini tha për Reporteri.net se mbrojtja në liri e Thaçit dhe të tjerëve në shtetet e treta ka lidhje me neutralitetin e tyre karshi epilogut të procesit gjyqësor.

“Sipas pjesës arsyetuese të Vendimit, lirimi do të varet nga lloji dhe format e garancive që shtetet e treta do të japin për lirimin e z. Thaqi dhe të tjerëve. Mendoj, opcioni i lirimit me kusht në shtete të tretë është dhënë për faktin se shtetet e treta nuk kanë kurrfarë interesi në lidhje me epilogun e procesit dhe si të tilla konsiderohen më neutrale në raport me Republikën e Kosovës. Kjo mund të jetë arsyja se pse Gjykata Speciale me shumë preferon lirimin në ndonjë shtet të tretë”, tha Çerkini.

Por, kritikë ndaj kësaj qasje të Specialës është avokati Armend Shkoza, i cili thotë se nga një këndvështrim juridik kërkesa për garancione nga vende të treta është absurde.

“Një standard i tillë nuk është i paraparë me Ligjin në fuqi, deri sa qartazi me dispozitat e Nenit 41 janë përcaktuar standardet për caktimin e paraburgimit dhe lirimin e të pandehurve deri në nxjerrjen e aktgjykimit të formës së prerë. I vetmi ndalim shprehimor që ceket me rastin e lirimit të pandehurëve deri në nxjerrjen e aktgjykimit të formës së prerë është se ata nuk duhet të lirohen në shtetin pranues, pra shtetin në të cilin është duke e vuajtur paraburgimin. Dhënia e garancave nuk rezulton kategori ligjore dhe procedurale dhe shiquar nga këndi i ftohët juridik, një kërkesë e tillë duket absurde. Kjo për faktin se ndonëse e drejta ndërkombëtare implikohet në këto çështje, mirëpo nuk do të duhej që kjo të përfshi implikime politike dhe të diplomacies”, tha Shkoza për Reporteri.net.

Neni 41 i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i cituar nga avokati Shkoza, flet për paraburgimin e të dyshuarve.

“Në rast të lirimit, personat që mbahen në ambientet e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në shtetin pranues nuk lirohen në shtetin pranues. Këta persona transportohen dhe lirohen në shtetin ku janë paraburgosur fillimisht në emër të Dhomave të Specializuara apo në Kosovë, apo nëse ata nuk kanë të drejtë për të qëndruar në asnjë prej atyre vendeve, në ndonjë shtet ku ata janë banorë të zakonshëm dhe/apo të ligjshëm, apo në ndonjë Shtet që pajtohet t’i pranojë ata”, thuhet në pikën 11 të nenit 41 të këtij ligji.

Tutje Shkoza thotë se një mënyrë e tillë e të argumentuarit nga Gjykata Speciale është duke e degraduar integritetin institucional të Kosovës.

“Në kuptim të domethënies së dhënies së garancave dhe lirimit në shtetin e tretë, kjo është duke e degraduar integritetin institucional të Kosovës. DHSK-ja mund të vlerësojë se në bazë të kritereve dhe kushteve që i ka përcaktuar korniza juridiko-procedurale, se lirimi me kusht a e cënon apo jo procedurën penale e cila është duke u zhvilluar. Pra vetë DHSK-ja, e cila formalisht është pjesë e sistemit kushtetues të Republikës së Kosovës, do të duhej të merret me anën e integritetit të procedurës, por jo edhe vlerësimet që dalin jashtë domenit të rregullimit juridik”, tha Shkoza për Reporteri.net.

Në vikend u raportua se Kroacia, Sllovenia e Austria kanë shprehur interesim për ofrimin e garancioneve për mbrojtje në liri të ish-udhëheqësve të UÇK-së.

Një gjë të tillë e tha, Hysni Berisha, ish-komandant i UÇK-së e anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës.

“Pas Kroacisë tani edhe Austria dhe Sllovenia ofrohen garant të lirimit me kusht të të arrestuarve në Hagë. Radha është te Presidentja, Kryeministri apo Kryeparlamentari që të veprojnë institucionalisht.Për të ofruar garancë, së pari duhet treguar kredibilitet institucional dhe integritet personal”, shkroi Berisha në Facebook, përcjellë Reporteri.net.

Që nga nëntori i vitit të kaluar Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi janë të paraburgosur në Hagë nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ndryshe, Kadri Veseli, ish-kryetar i Kuvendit, po qëndron në Kosovë me leje të Specialës pasiqë prindit të tij i është keqësuar gjendja shëndetësore nga sulmi që pësoi në tru.

Reklama