Gara për të parin e partisë, mesazhet e koduara që po dërgohen nga LDK-ja

Me datë 14 mars, delegatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës do të vendosin për prijësin e tyre. Deri më tani janë disa persona që kanë shprehur ambiciet për të garuar në karrigen më të rëndësishme të LDK-së. Disa të tjerë kandidaturat nuk i kanë shpallur publikisht, por kanë dërguar mesazhe përmes rrjeteve sociale.

Pas dy javësh Lidhja Demokratike e Kosovës do të vendosë për kryetarin e ardhshëm të partisë, që do ta pasojë Isa Mustafën pas më shumë se 10 vitesh që i njëjti kishte udhëhequr këtë subjekt.

Të dalë të tretët nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit, në LDK tashmë janë lajmëruar disa pretendentë për t’u ulur në karrigen më të rëndësishme të partisë.

Ani pse kandidaturat do të zyrtarizohen në ditën kur mbahet Kuvendi zgjedhor, nga degë të ndryshme kanë filluar të lëshojnë mesazhe përmes rrjeteve sociale për kandidatë të caktuar.

Ishte i pari nënkryetari i Lidhjes Demokratike, Avdullah Hoti që publikoi një fotografi me Kujtim Shalën. Shala është njëri nga personat e parë që është përmendur për kryetar të Lidhjes Demokratike.

Hoti teksa ka publikuar foton me Shalën ka shkruar në Facebook “Mirëmbrëma të gjithë anëtarëve të LIDHJES”.

Derisa Hoti iu uroi një mbrëmje të mirë anëtarë të LDK-së, nuk shkuan shumë orë e i erdhi një kundërpërgjigje nga Anamorava.

Ish-ministri Imet Rrahmani, njëherësh bashkëpunëtor i afërt i Lutfi Hazirit publikoi një fotografi me këtë të fundit.

“Mirëmengjesi LDK-ista”, shkroi Rrahmani në Facebook.

Të dyve më vonë iu është përgjigjur anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Astrit Haraqija.

Ish-ministri ka publikuar një fotografi me djalin e ish-presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugovës.

“Mirëmengjesi RUGOVISTA. Sinqerisht nuk  jemi Pretendent ,Por ……  Zoti e bekoftë Dardaninë✌️”, ka shkruar ai.

Reagim ka bërë edhe nënkryetari i LDK-së e kreu i këtij subjekti në Prizren, Anton Quni që tashmë e ka shpallur kandidaturën e tij për kryetar të partisë.

“Ky “relikt” nxitë kujtime të bukura por është i papërdorshëm. Mos të lejojmë që LDK-ja të bëhet “relikt”. Fati i Kosovës është i lidhur ngushtë me fatin e LDK-së”, ka shkruar ai.

Anton Quni, Fatmir Sejdiu, Lutfi Haziri, Lumir Abdixhiku, Kujtim Shala e Melihate Tërmkolli deri tani janë vetëm disa prej emrave që kanë deklaruar publikisht se do të jenë kandidat për kryetar të LDK-së apo janë përfolur në opinioni.

Reklama