Futbollistja nga Rahoveci Afërdita Qevani nënshkruan kontratë me klubin gjerman

Futbollistja e re Afërdita Qevani nga Xerxa e Rahovecit ka kaluar me suksese fazën testuese dhe ka arritur marrëveshje me ekipin gjerman TSV Schwaben, që garon në Ligën e tretë të Gjermanisë.

Nëntëmbëdhjetë vjeçarja ka filluar me futboll në akademinë Brian’s në Lezhë, ku wshtw stërvitur e luajtur për dy vjet. Më pas është transferuar në klubin “Vllaznia” të Shkodrës, ku ka fituar disa herë titullin kampion dhe fitues i kupës së Shqipërisë për gjashtë vjet radhazi. Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë për vajza të moshës U19 e ka ftuar në ekip ku ka zhvilluar disa ndeshje kontrolluese e miqësore.

Karrierën e ka vazhduar në klubin e futbollit “Liria” në Prizren dhe njëkohësisht ka qenë e ftuar nga përfaqësuesja e  Kosovës për moshat U19.  Interesimi i klubit gjerman të vajzave  nga Augsburgu i Bavarisë është një tjetër vlerësim që i bëhet kësaj futbolliste të re. Kjo kontratë është një hap i rëndësishëm për karrierën e saj si futbolliste profesioniste.

Afërdita është e bija e Rrahman Qevanit, furrtar i përkushtuar dhe ish ushtar i UÇK-së që tashmë i është rikthyer profesionit të tij të furrtarit dhe punon jashtë Kosovës.

Reklama