Funksionalizohet E-kiosku në Rahovec, do të jetë 24 orë në shërbim të qytetarëve

Sot në Rahovec është përuruar projekti më i ri i Komunës. E-kiosku është asistuesi më i ri elektronik për nxjerrjen e dokumenteve të gjendjes civile, që do t’i shërbejë të gjithë qytetarëve të Rahovecit.

“Bashkërisht me Nënkryetarin Iska dhe Drejtoreshën e Administratës znjsh. Sallteku bëmë zyrtarisht hapjen e E-kioskut, si një projekt me shumë rëndësi për mbarëvajtjen e punëve të administratës dhe një lehtësi e madhe për qytetarët”, ka shkruar Kryetari Latifi.

Ai ka theksuar se komuna e Rahovecit shënon edhe një hap në modernizimin e administratës.

“E-kiosku do të jetë në shërbim të qytetarëve 24 orë. Me këtë projekt fillon një vizion i ri në ngritjen e kapaciteteve në ofrimin e shërbimeve për qytetarë. Qytetarët e komunës së Rahovecit nga sot do të kenë mundësinë që vetë të marrin disa lloje të dokumenteve të gjendjes civile”, ka shkruar tutje ai.

Dokumentet që mund të nxjerren nga kjo pajisje janë:

– Çertifikata e lindjes

– Ekstraktin e lindjes

– Çertifikata e vendbanimit

– Çertifikata e shtetësisë

– Çertifikata e martesës

“Por, ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për pasurimin e E – KIOSKUT edhe me produkte të tjera, sigurisht, me shtimin e E-KIOSKËVE edhe në pjesë të tjera të komunës, të cilët do të çojnë në administratë të modernizuar e bashkëkohore dhe do të jetë një lehtësi akoma më e madhe për qytetarët në kryerjen e shërbimeve të tyre. E gëzofshi qytetarë nga e tërë komuna e Rahovecit!”, thuhet në fund të njoftimit.

 

 

Reklama