Fundi i Agim Veliut, shkarkohet edhe nga Lumir Abdixhiku

Për më shumë se një vit, deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës,  Agim Veliu i ka rënë të shkarkohet 5 herë nga pozitat që ka mbajtur si brenda partisë ashtu edhe në institucione të Kosovës.

Veliu i cili la ulësen e kryetarit të Podujevës, për tu angazhuar si ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë Kurti 1, u shkarkua nga shefi i tij, Albin Kurti, rreth një muaj më vonë.

Shkak ishte bërë një kërkesë e ish presidentit Hashim Thaçi. Pak ditë pasi që në Kosovë kishin filluar rastet e para me COVID-19, e informimi mbi këtë pandemi ishte ende i mangët, Thaçi kishte kërkuar “Shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë”.

Për kryeministrin Kurti një propozim i tillë ishte i papranueshëm, por jo edhe për vartësin e tij, Agim Veliun. Ky i fundit ishte deklaruar pro shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.

“Unë personalisht jam që të ndërmerren të gjitha masat në mënyrë që të mbrohemi. Nuk është këtu çështja këtu a jemi më kryeministrin a presidentin por duhet të jemi sa më të organizuar, nuk është koha e kapriceve se a duhet të dominoj mendimi i tij apo i këtij, sepse ne jemi në shërbim të Kosovës. Po duhet të shpallet gjendja e jashtëzakonshme”, kishte thënë Veliu në Klan Kosova më 17 mars të vitit të kaluar.

Një ditë më vonë, Kurti shkarkoi ministrin e tij, nën arsyetimin se kishte dhënë deklaratë të ‘papërgjegjshme’

“Nuk mundesh me mbështetë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, të paralajmëruar nga presidenti, pa u konsultuara me partnerin e koalicionit. Nuk mundesh, ose edhe mundesh, por pastaj nuk mundesh, sepse të shkarkojnë”, pati thënë Kurti.

 

 

E po atë, disa orë pas shkarkimit, Agim Veliu u shpreh shumë i relaksuar ani pse ishte shkarkuar, madje vendimin për shkarkim sipas tij ‘nuk ia ka lënë shenjë’.

“Nuk më ka bo kurrfarë përshtypje ai farë vendimi. Nuk ma ka lënë naj farë sheje”, kishte thënë Veliu atëherë.

Shkarkimi i tij, e rrëzoi Qeverinë Kurti dhe mundësoi rikthimin e Veliut në pozitën e Ministrit të Punëve të Brendshme, kur Avdullah Hoti ishte zgjedhur kryeministër.

Kalimi i Veliut në ekzekutiv, e kishte lënë komunën e Podujevës pa kryetar. Zgjedhjet në Podujevë u mbajtën  më 29 nëntor. Në këto zgjedhje, LDK humbi njërin nga ‘bastionet e mëdha. Lëvizja Vetëvendosje me kandidati Shpejtim Bulliqi e fitoi Podujevën qysh në raundin e parë.

 

Humbja e LDK-së në Podujevë u pa si një ‘humbje’ për Veliun dhe LDK-në në tërësi.

 

Veliu përmes një postimi në facebook, pati shkruar se kjo është humbja e parë e LDK-së në këtë komunë pas më shumë se 31 viteve.

“Është e rrallë për një parti demokratike të ketë besim aq të gjatë qytetar, të palëkundur dhe konsistent, në kohë të vështirë dhe ditë të mira. Këtë besim e kam respektuar dhe do ta vlerësoj përgjithmonë. Koha do ta dëshmojë se propaganda kundër meje dhe LDK-së ka qenë e fabrikuar dhe false”,  ka shkruar Veliu në facebook.

Megjithatë, Veliu nuk ishte i papunë, meqë kishte marrë besimin e ish kryeministrit Avdullah Hoti për të qeverisë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës.

 

Mirëpo, zgjedhjen e qeverisë Hoti, Lëvizje Vetëvendosje e kishte dërguar në Gjykatë Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese përmes një vendimi të datës 21 dhjetor të vitit të kaluar, kishte gjetur se votimi i Qeverisë Hoti ishte bërë në kundërshtim me kushtetutën dhe kështu kishte kërkuar nga Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Ky kishte qenë “shkarkimi” i tretë i Agim Veliut nga pozitat që mbante në institucione.

Veliu i cili kishte mbetur edhe pa postin e kryetarit të Komunës, edhe pa postin e ministrit, i kishte hyrë garës për deputet të Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së.

 

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Veliu kishte arritur të marrë 11 mijë e 813 vota.

Pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, në LDK nisi një reformë, ku i pari që u prek ishte kryetari Isa Mustafa, i cili kishte ofruar dorëheqje.

Në mars të këtij viti, Kuvendi Zgjedhor i LDK-së zgjodhi Lumir Abdixhikun kryetar të partisë.

Abdixhiku që kishte vetëm 4 vjet në LDK, vendosi të mos ia besoj mandatin e nënkryetarit të partisë e anëtarit të kryesisë Agim Veliut që është pjesë e LDK-së ndoshta që nga fillimet e para.

 

Në një reagim të tij dy ditë më vonë, deputeti Agim Veliu pati thënë se ndryshimet në parti janë hap drejt unifikimit.

“Siç e thash, zgjedhja e kryetarit të ri, pavarësisht vlefshmërisë së vendimeve iniciale që mori, e për të cilat mbase do të flas ndonjëherë tjetër, nga shumë njerëz, përfshirë këtu edhe mua, u pa si një ngjarje dhe moment reflektimi dhe rrjedhimisht edhe fillimi të një pune të madhe për unifikimin e partisë”, ka shkruar Veliu në facebook më 16 mars.

Që nga ajo kohë, deputeti i LDK-së angazhimin e tij e vazhdoi i heshtur në Kuvend dhe jashtë tij.

“Goditjen” e pestë, Veliu e mori të mërkurën kur LDK njoftoi se në Podujevë kandidat për kryetar do të jetë Ekrem Hyseni.

 

 

Përveç kësaj, Abdixhiku deklaroi se të gjitha përgjegjësitë e organizimit të brendshëm do t’i kalojnë shtabit zgjedhor dhe jo degës së LDK-së në këtë komunë, e që udhëhiqet pikërisht nga Agim Veliu.

“Me vendim të Kryesisë, kandidati për kryetar të Podujevës është doktor Ekrem Hyseni. Dhe kryesia e LDK-së si pjesë e procesit të brendshëm vlerësues dhe organizativ i ka kaluar të gjitha kompetencat të degës, shtabit zgjedhor dhe të garës zgjedhore në Podujevë”, ishte shpreh mbrëmë Abdixhiku pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë së LDK-së

Këtë vendim, Agim Veliu nuk e ka pritur aspak mirë, duke e ka konsideruar vendim jo legjitim.

“Në këtë rast Kryesia ka marrë vendim kundër statutit. Nuk ka të drejtë për këtë vendim. Ky është vendim që është marrë pa koordinimin e strukturave të LDK-së. Ky është një vendim ilegal për mua. Jo legjitim”, deklaroi të mërkurën në mbrëmje Veliu.

Reklama