Ftohtë e reshje shiu dhe bore këtë javë në Kosovë

Gjatë javës në vijim mbi rajonin tonë pritet të depërtojnë fusha të presionit të ulët nga Atlantiku, me masa më të ftohta ajrore, ku ditën e martë dhe mërkurë sjellin mot më të ftohtë me reshje shiu dhe bore.

Nën kushtet e parashikuara meteorologjike për këtë javë, nga dita e martë do të ketë qarkullim të mjaftueshëm ajror që do të shpërndajë ndotësit e bllokuar në zona urbane, përderisa vlerat e cilësisë së ajrit pritet të zbresin edhe në vlera mesatare.

Për ditën e sotme moti parashikohet pjesërisht vranët. Në ultësira, në mëngjes mjegull, që vende-vende mund të mbetet edhe gjatë ditës.

Temperaturat e ajrit pritet të zbresin përreth vlerave mesatare. Minimalet do të luhaten nga -1C deri në 2C, ndërsa maksimalet nga 4C deri në 9C.

Nga dita e martë do të fryejë erë mesatare nga verilindja 3-9m/s.

Shtypja atmosferike do të zbres rreth vlerave normale, mirëpo nga dita e enjte do të pësojë rënie të thellë nën këto vlera.

Reklama