Fshatrat që ju paguajnë 28 mijë euro për të jetuar atje

Rajoni i Kalabrisë në Itali planifikon të ofrojë deri në 28 mijë euro, për maksimumi 3 vjet, për njerëzit që dëshirojnë të zhvendosen në fshatrat e saj, me shpresën për të rigjallëruar jetën dhe për të shtuar popullsinë.

Për të përfituar këtë fond, banorët e rinj duhet të angazhohen për të nisur një biznes të vogël, ose duke pranuar oferta pune nga banorët vendas. Aplikantët duhet të jenë maksimumi deri në 40 vjeç dhe të gatshëm të zhvendosen në Kalabri brenda 90 ditëve nga konfirmimi i aplikimit të tyre.

Gianluca Gallo, një këshilltar rajonal, thotë për CNN se të ardhurat mujore mund të jenë në kufijtë e 800 deri në 1 mijë euro, për dy deri në tre vjet. Alternativa tjetër, mund të jetë një financim i vetëm për të mbështetur fillimin e një aktiviteti të ri tregtar, qoftë restorant, bar, fermë rurale ose dyqan.

“Ne duam që ky të jetë një eksperiment i përfshirjes sociale. Të tërheqim njerëz të jetojnë në rajon, të shijojnë mjediset, të shfrytëzojnë vende të papërdorura të qytetit. Turizmi i pasigurtë dhe shtëpitë me një euro nuk janë mënyrat më të mira për të rimodeluar jugun e Italisë”, -thotë Gianpietro Coppola, kryetari i bashkisë së Altomonte.

CNN shkruan se në fillim iitalianët mund të ndihen disi të humbur në Kalabri, pasi vendasit janë një komuniteti shqiptar i larguar në vitet 1400 dhe që flasin gjuhën arbëreshe.

Procesi i aplikimit pritet të nisë në internet në javët e ardhshme, ndërsa autoritetet kanë caktuar më shumë se 700,000 € për projektin.

Rajoni i Molise dhe qyteti Candela, në Puglia, kanë miratuar skema të ngjashme në vitet e kaluara. Një shtëpi për më pak se një filxhan kafeje, është “oferta” që është bërë nga fshatra e qyteza të ndryshme italiane gjatë viteve të fundit, por shpesh është parë si një problem fakti që autoritetet lokale kërkojnë depozita bankare apo kushte të tjera shtesë.

 

Reklama